Mbahet tryeza "Siguria e furnizimit me ujë në zonat rurale"

Mbahet tryeza "Siguria e furnizimit me ujë në zonat rurale"

Në shumicën e vendeve, siguria e furnizimit me ujë është një çështje themelore për zhvillimin dhe mirëqenien e komuniteteve rurale. Në të shumtën e rasteve, këto zona ballafaqohen me sfida të mëdha në sigurimin e qasjeve në ujë të sigurt për përdorim të pijshëm, në bujqësi dhe për të tjerë qëllime.

Sot përkitazi me këtë problematik u mbajt tryeza dhe publikimi i raportit "Siguria e furnizimit me ujë në zonat rurale". Ky raport analizon dhe adreson këto sfida duke ofruar një pasqyrë të gjendjes aktuale të furnizimit me ujë në zonat rurale. Kjo përmbledhje identifikon problemet kryesore dhe rekomandon për përmirësimin e situatës.

Kjo ngjarje është organizuar në kuadër të projektit “Promovimi i Qasjes Universale në Ujë të Pastër”, që ka qëllim kryesor përmirësimin e menaxhimit të resurseve ujore dhe fuqizimin e komuniteteve për të arritur të drejtat e tyre për qasje në ujë të pastër. Projekti financohet nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë dhe zbatohet nga Let’s Do It Peja.

Prezantimin e raportit e bëri Egzona Shala, e cila tha se qasja e popullsisë së Kosovës në sisteme të furnizimit me ujë është relativisht e lartë, ku rreth 94.5%  e popullsisë kanë qasje në sisteme të ujësjellësit. Prej këtyre banorëve që kanë qasje në sisteme të ujësjellësit, 79% jetojnë në vendbanime ku sistemet e ujësjellësit menaxhohen nga Kompanitë Rajonale të Ujit (KRU-të), ndërsa pjesa tjetër në vendbanime ku sistemet e ujësjellësit ‘menaxhohen‘ nga komuniteti/banorët.

Tutje ajo theksoi se zonat urbane janë të mbuluara plotësisht me sisteme të ujësjellësit, ndërsa sa i përket popullsisë rurale, rreth 96,000  banorë jetojnë në vendbanime (300 fshatra) të cilat nuk kanë sisteme publike të ujësjellësit. Në këto zona rurale ku nuk ka sistem të ujësjellësit furnizimi i popullsisë me ujë bëhet në shumicën e rasteve nga puset individuale (në disa raste edhe nga burime natyrore të ujit).

Ajo tha se problem fondamental tek këto sisteme paraqet sidomos mungesa e plotë e monitorimit të cilësisë së ujit dhe rrjedhimisht rreziku që paraqet ky fakt për shëndetin e popullatës që furnizohet me ujë nga këto sisteme.

Uji është qenësor për njerëzit dhe të gjitha gjallesat tjera në tokë. Sigurimi i qasjes në ujë të sigurt është një prej mjeteve më efektive në promovimin e shëndetit dhe reduktimin e varfërisë.

/Motilokal.com