Të paktën nëntë persona kanë humbur jetën dhe më shumë se 100,000 janë pa energji elektrike pasi një stuhi e fuqishme ka përfshirë Evropën Jugperëndimore.
Stuhitë Elsa dhe Fabien kanë shkaktuar vërshimin e lumenjve dhe kanë dëmtuar shtyllat elektrike si dhe dëme të tjera materiale. Të paktën dy persona kanë vdekur në Portugali, ndërkaq shtatë në Spanjë, që njëherësh është shteti më i prekur nga moti i ligë.
Autoriteti Portugez për mbrojtje tha se shiu dhe erërat e forta kanë shkulur pemët dhe kanë shkaktuar përmbytje dhe dëmtim të infrastrukturës.
Më shumë se 250 persona janë evakuuar nga shtëpitë e tyre nga fshatrat në Portugalinë qendrore pasi një stuhi e fortë bëri që ujërat e lumenjve të rriten, njoftoi agjencia portugeze e lajmeve Lusa. Shumë shtëpi mbetën të përmbytura.
Teksa fuqia e stuhisë Elsa është dobësuar të shtunën, stuhia Fabien ka goditur Spanjën me erëra deri në 170 kilometra në orë, duke detyruar që dhjetëra fluturime të anulohen në aeroportin e Galicias.
Edhe Franca është goditur nga erëra të fuqishme, shumë shtëpi kanë mbetur pa energji elektrike.
Autoritetet franceze në ishullin e Korsikës kanë mbyllur aeroportin për shkak të motit të ligë, ndërkaq transporti detar po ashtu është pezulluar.
Alain Charrier, sekretari i përgjithshëm i prefekturës Korsikë tha: "Për sa i përket reshjeve, ato priten të ulën. Sa i përket erës, ne jemi akoma në një krizë që mund të zgjasë edhe për shumë orë”.
Moti i ligë gjithashtu shkuli pemë dhe linjta energjetike në Italinë perëndimore dhe jugore.
Stuhitë dhe reshjet e shiut priten ta përfshinë edhe Greqinë, Turqinë, Qipron, Sirinë, Libanin, Jordaninë dhe Izraelin gjatë fundjavës. /Motilokal.com






