Momente dramatike: Trajnerja amerikane shpëton nga mbytja notaren

Momente dramatike: Trajnerja amerikane shpëton nga mbytja notaren

Andrea Fuentes parandaloi një tragjedi në Kampionatin Botëror të notit, që po mbahet në Budapest të Hungarisë, me reagimin e saj të shpejtë. Trajnerja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e dinte se diçka nuk ishte në rregull kur pa notaren artistike, Anita Alvarez, të zhytej pa lëvizur në fund të pishinës gjatë një rutine individuale të mërkurën. Fuentes, e veshur plotësisht, u zhyt brenda në pishinë. Ajo notoi drejt Alvarezit që nuk reagoi, i vuri duart rreth saj dhe e ngriti në sipërfaqen e ujit, ku një person tjetër e ndihmoi ta nxirrte nga pishina. Notares artistike, Alvarezit, një olimpistes së dyfishtë, i kishte rënë të fikët. “Ishte performanca e saj më e mirë ndonjëherë, ajo thjesht i kaloi kufijtë e saj dhe i gjeti ato”, tha Fuentes me shaka.

Alvarez, së cilës iu dha menjëherë kujdes mjekësor, po ndihej shumë më mirë të enjten. Këtë e konfirmoi edhe ekipi amerikan i notit artistik nëpërmjet një komunikate. Në komunikatë thuhet se Alvarez pati një performancë fantastike përpara se t’i binte të fikët.

“Anita është vlerësuar nga stafi mjekësor dhe do të vazhdojë të jetë në monitorim. Ajo po ndihet shumë më mirë dhe po e përdor të enjten si ditë pushimi”, tha ekipi i notit artistik të SHBA-së, nëpërmjet një njoftimi. “Shikimi i urgjencës mjekësore të djeshme të olimpistes Anita Alvarez dhe shpëtimi i mëpasshëm nga trajnerja Andrea Fuentes ishte zemërthyese për komunitetin tonë. Ajo dha një performancë të jashtëzakonshme solo dhe konkurroi shkëlqyeshëm në katër gara paraprake dhe tri finale për gjashtë ditë.”

Alvarez përfundoi në pozitën e shtatë në finalen individuale të së mërkurës. Mbetet të shihet nëse Alvarez do të paraqitet në finale të premten, pasi një gjë e tillë do të vendoset nga sportistja dhe stafi mjekësor./Motilokal.com