Shkencëtarët rritin bimë në mostrat e mbledhura në Hënë

Shkencëtarët rritin bimë në mostrat e mbledhura në Hënë

Shkencëtarët kultivuan për herë të parë bimë në Tokë në mostrat e mbledhura në Hënë gjatë misioneve të NASA-s në 1969 dhe 1972, që mund të çojë në përdorimin e bimëve tokësore në postat njerëzore në planetë të tjerë.

Shkencëtarët thanë se mbollën farat e një bari të vogël, Arabidopsis thaliana, në 12 vazo të vogla me madhësi këllëfi dhe e panë atë të mbinte dhe të rritej. Çdo enë përmbante një gram tokë hënore, më saktë e quajtur regoliti hënor, i cili, me grimcat e mprehta dhe mungesën e materialit organik, ndryshonte shumë nga ai i tokës, kështu që nuk dihej nëse farat do të mbinin.

"Bimët mund të rriten në regolitin hënor"

"Kur pamë për herë të parë bollëkun e filizave të gjelbër në të gjitha mostrat, ne mbetëm pa frymë", tha profesoresha e hortikulturës Anna-Lisa Paul, drejtore e Qendrës Ndërdisiplinore të Universitetit të Floridës për Kërkime Bioteknologjike.

"Bimët mund të rriten në regolitin hënor. Kjo deklaratë e thjeshtë është kolosale dhe hap derën për kërkimet e ardhshme duke përdorur burimet në Hënë dhe ndoshta në Mars", tha Paul.Çdo farë mbiu dhe nuk kishte dallime të jashtme në fazat e hershme të rritjes midis asaj të mbjellë në regolit, e cila përbëhet kryesisht nga shkëmbinj bazalt të grimcuar, dhe farave të mbjella për krahasim në hirin vullkanik nga Toka me përbërje të ngjashme minerale dhe madhësi të grimcave.

Farat e mbjella në regolit kishin rezultate më të dobëta se bimët e krahasueshme, gjë që mund të mos jetë befasuese. Megjithatë, fakti që bimët mbinë dhe u rritën, ishte i jashtëzakonshëm për shkencëtarët.

Bashkëdrejtuesi i studimit Rob Ferl i Universitetit të Floridës tha se ndjente gëzim duke bërë diçka që nuk ishte bërë kurrë më parë.

"Të shohësh bimët të rriten është një arritje sepse thotë se mund të shkojmë në hënë dhe të kultivojmë ushqim, të pastrojmë ajrin dhe të riciklojmë ujin duke përdorur bimët në mënyrën se si i përdorim ato këtu në Tokë. Është gjithashtu një zbulim sepse tregon se jeta tokësore nuk është e kufizuar në Tokë”, shtoi Ferl.

Shkencëtarët zbuluan gjithashtu se regoliti që kishte qenë më i ekspozuar ndaj rrezeve kozmike dhe erës diellore në sipërfaqen hënore ishte më pak i përshtatshëm për rritje.

Bimët tokësore mund t'i ndihmojnë njerëzit të krijojnë kopshte në vende si Hëna dhe Marsi, siç tregohet në filmin Martian të vitit 2015, në të cilin një astronaut rriti patate në Planetin e Kuq. Programi Artemis i NASA-s parashikon kthimin e njerëzve në sipërfaqen e Hënës në vitet e ardhshme./Motilokal.com