Nënshkruhet marrëveshja mbi 6 milion euro mes Kosovës dhe BERZh-it për energji efiçiente

Nënshkruhet marrëveshja mbi 6 milion euro mes Kosovës dhe BERZh-it për energji efiçiente

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe Zëvendës Presidenti i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim Alain Pilloux në javën e takimeve vjetore në Marakesh kanë nënshkruar Marrëveshjen për Energji Efiçiente për Prizrenin. Kjo marrëveshje që kap vlerën prej 6 milion e 315 mijë euro, prej të cilave 20% janë grant, synon investimet në Efiçiencën e Energjisë së Ndërtesave Publike në Prizren.  

Me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes, ministri Murati ka vlerësuar lartë bashkëpunimin e vazhdueshëm me BERZh-in, si një partner i rëndësishëm për avancimin e tranzicionit energjetik të Kosovës dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik. 

Në anën e tij, Zëvendës Presidenti i BERZh Alain Pilloux u shpreh se për një shtet i cili deri vonë nuk mund ta imagjinonte të ardhmen e energjisë pa linjit, progresi i Kosovës nuk mund të ishte më i madh se kaq. Gjithashtu, ai theksoi se Kosova tashmë është duke punuar intenzivisht në një model të cilin çdo shtet duhet ta ndjek, përkatësisht kombinimin e energjisë efiçiente me energji të ripërtrishme. 

Projekti i cili financohet nga kjo marrëveshje parasheh implementimin e masave të efiçiencës në 100 objekte komunale, duke përfshirë kopshte, shkolla dhe qendra të kujdesit shëndetësor parësor. Masat e propozuara për efiçiencë përfshijnë përmirësimin dhe ndërrimin e sistemeve të ngrohjes, izolimin termik të ndërtesave dhe instalimin e dritareve dhe dyerve me efiçiencë të energjisë./Motilokal.com