Nënshkruhet marrëveshja për Energji Efiçiente për Prishtinën me BERZh

Nënshkruhet marrëveshja për Energji Efiçiente për Prishtinën me BERZh

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, z. Hekuran Murati ka nënshkruar sot Marrëveshjen e Kredisë për projektin “Korniza e Qyteteve të Gjelbërta 2 Dritarja 2 - Efiçienca e energjisë në ndërtesa publike në Prishtinë” me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh).

Kryeministri Kurti së bashku me Ministrin Murati dhe Ministren Rizvanolli kanë pritur sot në takim delegacionin e lartë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), të udhëhequr nga Presidentja e BERZh-it znj. Odile Renaud Basso.

Gjatë takimit është diskutuar rreth Strategjisë së re të Energjisë të Kosovës dhe pozicionit të BERZh-it për të përkrahur arritjen e objektivave që rrjedhin nga kjo strategji. Në linjë me këtë, Ministri Murati dhe Presidentja e BERZh-it, znj. Renaud Basso, pas takimit të përbashkët kanë nënshkruar Marrëveshjen Financiare në vlerë prej 6 milionë e 315 mijë euro, prej të cilave 20% parashikohen të jenë grant,  për investime në Efiçiencë të Energjisë në Ndërtesa Publike në Prishtinë.

Me rastin e nënshkrimit të kësaj Marrëveshjeje, Ministri Murati ka vlerësuar lartë bashkëpunimin e vazhdueshëm me BERZh-in, si një partner i rëndësishëm për avancimin e tranzicionit energjetik të Kosovës dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.

Projekti i cili financohet nga kjo marrëveshje parasheh implementimin e masave të efiçiencës në 47 objekte komunale, duke përfshirë kopshte, shkolla dhe qendra të kujdesit shëndetësor parësor. Masat e propozuara për efiçiencë përfshijnë përmirësimin dhe ndërrimin e sistemeve të ngrohjes, izolimin termik të ndërtesave dhe instalimin e dritareve dhe dyerve me efiçiencë të energjisë./Motilokal.com