Në kuadër të kontrollove për shfaqjen e gripit të shpendëve H5N1, Administrata e Zonave te Mbrojtura, Shkodër, vijojnë monitorimet intensive në ujërat, brigjet dhe zonat përreth Liqenit të Shkodrës dhe Lumit Buna.
Administrata e Zonave te Mbrojtura, Shkodër njofton se deri më tani nuk është konstatuar asnjë rast infeksioni në popullatën e Pelikanit kaçurrel.
“Deri më tani nuk kemi konstatuar raste të shfaqjes së infeksionit, në popullatën e Pelikanit kaçurrel (Pelecanus crispus) në anën shqiptare të Liqenit të Shkodrës, si dhe të llojeve të tjera të shpendëve që popullojnë Liqenin e Shkodrës, Lumit Buna dhe ligatinat përreth tyre”, thuhet në njoftim.
Pelikani kaçurrel vite e fundit është rikthyer në Liqenin e Shkodrës. Liqeni i Shkodrës, një nga habitatet më të banuara nga specie të ndryshme fluturakësh, po rikthehet në gjendjen e vet tradicionale pas vendosjes së moratoriumit mbi gjuetinë e paligjshme. Vitet e fundit në këtë zonë janë vërejtur mjaft specie të rikthyera duke e populluar atë. Një ndër të rrallët është edhe Pelikani Kaçurrel, një nga speciet e pakta në Europë që deri tani ka shfrytëzuar si strehën e tij të fundit Lagunën Divjakë-Karavasta.
Pelikani Kaçurrel (Pelecanus crispus) është shpend fluturues, folebërës nga familja e pelikanëve. Popullata më e madhe e këtij lloji të pelikanëve gjendet në lagunën Karavastasë në Shqipëri./Motilokal.com
Foto: Ridvan Sokoli
