Misioni hapësinor i NASA-së, ka zbuluar disa imazhe të reja të Plutonit. Bëhet fjalë për vullkanet e akullit që janë evidentuar për herë të parë në këtë planet.
Në fakt, fluturimi në këtë planet ishte bërë në vitin 2015 derisa që nga atëherë njohuritë e mbledhura janë duke u hulumtuar, për të arritur në konkluzionet e sakta të kësaj ekzistenceje.
Plutoni ekziston në skajin e sistemit tonë diellor në Brezin Kuiper, dhe është më i madhi nga shumë objekte të ngrira që rrotullohen larg diellit. Bota e akullt, e cila ka një temperaturë mesatare negative minus 232 gradë Celsius, është shtëpia e maleve, luginave, akullnajave, fushave dhe kratereve.
Një analizë e re fotografike tregoi një rajon me gunga në Pluton që nuk duket si asnjë pjesë tjetër e botës së vogël ose pjesa tjetër e lagjes sonë kozmike.
"Ne gjetëm një fushë me vullkane shumë të mëdha të akullta që nuk ngjajnë me asgjë tjetër që kemi parë në sistemin diellor," tha autori i studimit Kelsi Singer, shkencëtar i lartë kërkimor në Institutin Kërkimor Jugperëndimor në Boulder, Kolorado.
Vullkanet e akullit
Por çfarë mund të ketë krijuar këto formacione kaq të pazakonta? Shkencëtarët besojnë se shkaku i tyre janë vullkanet e akullit. Vullkane të tilla, të cilat tërheqin materialin nga shtresa nëntokësore në sipërfaqe dhe krijojnë terren të ri, gjenden diku tjetër në sistemin diellor. Por në Pluton ato janë të ndryshme.
"Këto formacione nuk i ngjajnë asnjë vullkani tjetër në sistemin diellor, qoftë ai i akullt apo shkëmbor. Ato janë formuar si male, por nuk ka kaldera në majë dhe ato kanë vetvetiu zgjatime të mëdha", tha Singer.
Shkencëtarët deri më tani kanë besuar se planeti nuk ka energji të brendshme të mjaftueshme për të nxitur vullkanizmin. Por do të nevojiteshin disa shpërthime për të krijuar këtë rajon të sapo zbuluar.
Ekspertët kanë vënë në dukje gjithashtu se nuk ka kratere ndikimi në zonë që përndryshe shihen zakonisht në pjesë të tjera të Plutonit, duke sugjeruar se këto vullkane akulli kanë qenë aktive relativisht kohët e fundit dhe se brendësia e Plutonit ka më shumë nxehtësi sesa pritej.
"Kjo do të thotë se Plutoni ka më shumë nxehtësi të brendshme nga sa mendonim, që nga ana tjetër do të thotë se ne nuk e kuptojmë plotësisht se si funksionojnë trupat planetarë", tha Singer.
Vullkanet e akullit në Pluton ishin ndoshta aktive 100 deri në 200 milionë vjet më parë, gjë që është e fundit në aspektin gjeologjik. Nëse do të mund të shikonim shpërthimin e tyre, do të habiteshim nga ajo që shohim.
Vullkanet mund të jenë akoma aktivë?
Kur anija kozmike New Horizons kapi këtë rajon, asnjë nga vullkanet nuk ishte aktiv, por qëndroi atje vetëm për një ditë. Është e mundur që disa vullkane akulli në Pluton janë ende aktive.
“Ata mund të jenë si vullkanet në Tokë që janë të fjetur për një kohë dhe më pas do të jenë sërish aktivë”, tha Singer.
Plutoni dikur kishte një oqean nëntokësor dhe zbulimi i këtyre vullkaneve akulli mund të tregojë se ai është ende atje, domethënë se mund të ketë ujë të rrjedhshëm pranë sipërfaqes. Nëse kësaj i shtojmë mundësinë që brendësia e Plutonit të jetë më e ngrohtë nga sa mendohej më parë, lind pyetja nëse mund të ketë jetë në atë planet.
"Nëse ka organizma të gjallë atje, ata përballen me shumë vështirësi. Domethënë, ata kanë nevojë për një burim të vazhdueshëm të lëndëve ushqyese. Dhe nëse është vullkanizmi episodik, ose disponueshmëria e ndryshueshme e nxehtësisë dhe ujit, atëherë është një situatë e vështirë për të mbijetuar", tha Singer./Motilokal.com
