Aliu: Sigurohet lokacioni për projektin gjigant 'Solar4Kosovo'

Aliu: Sigurohet lokacioni për projektin gjigant 'Solar4Kosovo'

Kosova pritet të bëhet me termocentralin me të madh diellor në Evropë. Projekti “Solar4Kosovo’’ do të jetë një nga termocentralet më të mëdha diellore në Evropë e që do të jetë bashkëdyzim i dy komponentëve: distriktit solar të ngrohjes (Termokos) dhe fuqisë fotovoltaike (KEK). Me këtë projekt sistemit të ngrohjes së Prishtinës do t'i shtohen rreth 70 MW.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) Liburn Aliu, përmes një njoftimi në Facebook, ka bërë të ditur se është bërë sigurimi i lokacionit për një prej projekteve më të mëdha të energjisë diellore në Evropë "Solar4Kosovo", i cili po fillon të jetësohet në Kosovë.

Ky është projekti i parë diellor në shkallë të gjerë në sektorin publik të Kosovës, dhe i pari projekt që ka për qëllim diversifikimin e prodhimit të energjisë elektrike.

“Sot, bashkë me ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde, drejtorin e Bankës Gjermane për Zhvillim, René Eschemann, dhe kryetarin e komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, vizituam lokacionin e këtij projekti në komunën e Obiliqit”, ka shkruar Aliu.

Nga ky bashkëpunim i ndërsjellë do të përfitojnë drejtpërdrejt qytetarët e vendit tonë, me ç’rast:

  • Do të ju sigurohet kyçje në rrjetin e ngrohjes qendrore për 12.000 familje apo rreth 60.000 banorë;
  • Do të reduktohet emetimi i dioksidit të karbonit për 40.000t në vit;
  • Do të shtohen kapacitetet me rreth 70MW në sistemin e ngrohjes në Prishtinë;
  • Do të reduktohet kërkesa për energji elektrike për qëllime të ngrohjes;
  • Do të ndërtohen kolektorë diellorë prej përafërsisht 69.000 m2./Motilokal.com