Qeveria shqiptare miratoi sot një projektligj të ri, shpalljen e moratoriumit të gjuetisë për 5 vitet në vijim.
Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, pas mbledhjes së qeverisë.
“Projektligj i ri që është në vazhdim të dy ligjeve që i kishte mbaruar afati dhe është shpallja e moratoriumit të gjuetisë për 5 vitet në vijim. Ka pasur dy ligje më parë, një për vitin 2014-2016 dhe një tjetër në 2016-2021 që i mbaroi afati vitin e kaluar. Duke konstatuar efekte pozitive të masave të marra, në lidhej me faunën e egër, por sidomos me shpendët e egër, është konstatuar një rritje e ndjeshme e numrit të shpendëve të egër dhe një ndërgjegjësim shumë më i madh i popullatës”, tha ajo.
Kumbaro bëri të ditur se në vitin 2016 në censin e zhvilluar janë konstatuar rreth 60 mijë lloj shpendësh të egër në habitatet e ekosistemit shqiptar, ndërsa në vitin 2021 janë rreth 140 mijë individë të tillë.
Sipas saj, të gjithë këta individë shpendësh të egër që popullojnë habitatet e zonave të mbrojtura ose habitate në pyje dhe zona të tjera të natyrore të Shqipërisë, përveç ekosistemit dhe pasurive natyrore kontribuojnë edhe në ruajtjen e mjedisit në gjithë territorin e Shqipërisë.
“Nga ana tjetër ka edhe një efekt të rëndësishëm shpallja e këtij moratoriumi, kufizon ndjeshëm shpërndarjen ose kërkesën për tu pajisur me leje armësh gjahu. Në dy vitet e para janë sekuestruar falë këtij moratoriumi mbi 800 armë gjahu në vitin 2015-2016. Kemi një ndalesë totale të aktivitetit gjuetar edhe nga gjuetarë të huaj, të cilët në kohën që nuk ka qenë ku moratorium vinin në mënyrë të shpeshtë për të gjuajtur, por përdorin dhe mjete të paligjshme për gjueti”, tha Kumbaro./Motilokal.com
