Kur pimë një gotë ujë, shkruajmë në fletore, marrim ilaçe për temperaturën apo ndërtojmë një shtëpi, jo gjithmonë e bëjmë lidhjen me pyjet. E megjithatë, këto dhe shumë aspekte të tjera të jetës sonë janë të lidhura me pyjet në një mënyrë ose në një tjetër.
Menaxhimi i qëndrueshëm i pyjeve dhe përdorimi i burimeve të tyre janë çelësi për të luftuar ndryshimet klimatike dhe për të kontribuar në prosperitetin dhe mirëqenien e brezave aktual dhe të ardhshëm. Pyjet gjithashtu luajnë një rol vendimtar në zbutjen e varfërisë dhe në arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDGs). Pavarësisht nga të gjitha këto përfitime të paçmuara ekologjike, ekonomike, sociale dhe shëndetësore, shpyllëzimi global vazhdon me një shkallë alarmante.
Druri ndihmon në sigurimin e ushqimit dhe ujit pa baktere për kuzhinë, ndërtimin e mobiljeve dhe enëve të panumërta, zëvendësimin e materialeve të dëmshme si plastika, krijimin e fibrave të reja për rrobat tona dhe, nëpërmjet teknologjisë, të jemi pjesë e fushave të mjekësisë apo garës hapësinore.
Është jetike që të konsumohet dhe prodhohet druri në një mënyrë më miqësore me mjedisin për planetin dhe banorët e tij. Le ta mbrojmë këtë burim lehtësisht të rinovueshëm me një menaxhim të qëndrueshëm të pyjeve.
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara shpalli 21 Marsin Ditën Ndërkombëtare të Pyjeve në vitin 2012 për të festuar dhe rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e të gjitha llojeve të pyjeve. Vendet inkurajohen të ndërmarrin përpjekje lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare për të organizuar aktivitete që përfshijnë pyje dhe pemë, të tilla si fushatat e mbjelljes së pemëve.
Organizatorët janë Forumi i Kombeve të Bashkuara për Pyjet dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO), në bashkëpunim me qeveritë, Partneritetin Bashkëpunues për Pyjet dhe organizata të tjera përkatëse në këtë fushë.
Tema për vitin 2022 është "Pyjet, prodhimi dhe konsumi i qëndrueshëm"./Motilokal.com
