Kriza energjike, Balluku: Do të ndërpritet ndriçimi në akset kombëtare, bashkitë të fikin dritat e panevojshme

Kriza energjike, Balluku: Do të ndërpritet ndriçimi në akset kombëtare, bashkitë të fikin dritat e panevojshme

Ministrja e Energjitikës, Belinda Balluku përmes një konference ka njoftuar se duke filluar nga sot në bashkëpunim me ARRSH-n do të nis ndërprerja e ndriçimit në akset kombëtare për të kursyer energjinë elektrike.

Ajo bëri të ditur se për shkak të mungesës së reshjeve kaskada e Drinit ndodhet në një moment të vështirë dhe për rrjedhojë është vendosur nga qeveria marrja e disa masave.

“Prej kohësh nuk kemi reshje shiu dhe kaskada ndodhet në një moment të vështirë. Duke nisur që sot importi do të jetë më i madh se prodhimi vendas. Në këtë moment në kaskadën e Drinit punojnë vetëm dy agregatë, ndërsa kërkesa është 17640 megavat orë. Një shifër shumë e lartë për sezonin krahasuar me vitet e shkuara. Duke pasur parasysh konsumin e lartë. Qeveria ka vendosur të ndërmarrë një sërë masash konsumi duke nisur nga institucionet publike.

Më tej ministrja Balluku tha se i kemi kërkuar ARRSH që të nis menjëherë nga puna për të bërë ndërprerjet e ndriçimit në akset kombëtare. Do të përmend disa prej tyre: aksi Tiranë-Durrës, Plepa-Kavajë-Rrogozhinë, Qafa e Kasharit-Rinas, Lin-Pogradec, Korçë-Ersekë. Do të ketë ndërprerje edhe në akset kombëtare në degëzim, siç janë Bypass i Fierit me hyrje dalje, Lezhë-Shëngjin dhe Shkodër-Hani i Hotit. Nuk do të prekim disa pjesë të akseve që cenojnë sigurinë rrugore. Kërkojmë mirëkuptimin tuaj për këtë”, tha Balluku.

Ministrja tha po ashtu se u kanë kërkuar bashkive që pas orës 00:00 të ndërpresin ndriçimin e panevojshëm në institucionet e qytetit.

“I kemi kërkuar institucioneve lokale kudo që ndodhen ato për të kufizuar të gjithë energjinë që konsumohen për ndriçimin, ato që nuk janë të domosdoshme. Duke nisur nga ora 12 e mesnatës do tu kërkohen të gjithë bashkive që të fikin ndriçimin që kanë për ndërtesa që nuk paraqesin domosdoshmëri”, deklaroi ministrja.

Balluku theksoi se në dy javët në vijim nuk pritet të ketë reshje duke bërë që situata të rëndohet edhe më tej. Ministrja bëri apel që qytetarët të kursejnë./Motilokal.com