Niveli i lartë i ndotjes së ajrit, i cili ka përfshirë Kosovën në stinën e dimrit po shihet si rrezik potencial për shëndetin, por edhe jetën e njeriut. Kjo ndotje ndikon direkt tek njerëzit me sëmundje kronike, ndër të cilët hyjnë edhe fëmijët.
Për këtë gjendje është shqetësuar edhe mamia e njohur Razije Musa, e cila përmes një shkrimi të bërë në faqen e saj në Facebook është shprehur ajri i ndotur është vrasës i heshtur.
Shkrimi i plotë i mamisë Razije Musa:
E shqetësuar jashtë mase me cilësinë e ajrit në Kosovë po mundohem të jap kontributin tim profesional me aq sa mundem.
Ajri i ndotur është vrasës i heshtur, plotë toksina që i thithim në çdo frymëmarrje janë helme që organizmi ynë i akumulon.
Është me rëndësi të evitoni daljet në mëngjeset e hershme dhe në mbrëmje, të mos i hapni dritaret dhe të qëndroni në ambientet e shtëpisë në të cilat uroj të mos pihet duhani brenda.
Fëmijët e vegjël janë duke e formuar sistemin e tyre imunitar, prandaj numri i fëmijëve me probleme me rrugët e frymëmarrjes rritet gjatë kësaj periudhe.
E rëndësishme është të konsumoni ju, e sidomos fëmijët ushqime të shëndetshme për të larguar toksinat.
Shfrytëzoni kohën e mandarinave, pini çaja, ujë, dhe largoni ushqimet e shpejta.
Në menynë e fëmijëve vendosni brokoli më shpesh. Një hulumtim i bërë në Shkollën për Shëndet Publik në John Hopkins University ka gjetur se konsumimi i brokolit largon toksinat që përthithen përmes ajrit të ndotur.
Përdorni rregullisht vajin e ullirit nëse keni mundësi, nëse jo së paku fëmijëve vendosjani një lugë çaji në ushqim.
Vaji i ullirit përmban Alpha-tocopherol e njohur si vitamina E e cila ka efekt pozitiv në shëndetin e rrugëve të frymëmarrjes, acidet yndyrore të vajit të ullirit reduktojnë inflamacionin.
Duke qenë se të vetëm nuk mund të luftojmë këtë dukuri së paku keni kujdes për veten dhe fëmijët tuaj. /Motilokal.com
