Panelet diellore mbi kanalet e ujit mund të prodhojnë 13 GW energji elektrike për Kaliforninë

Panelet diellore mbi kanalet e ujit mund të prodhojnë 13 GW energji elektrike për Kaliforninë

Distrikti i Ujitjes Turlock (TID) ka bërë një hap të rëndësishëm në Kaliforni drejt instalimit të paneleve diellore mbi kanalet e tij të ujit, dhe projekti i parë i tillë mori 20 milionë dollarë nga shteti për të filluar zbatimin.

TID ka paralajmëruar projektin Nexus, që nënkupton testimin e konceptit të paneleve solare në dy segmente të kanaleve.

Projekti është në fakt një realizim i hulumtimit të kryer nga shkencëtarët në Universitetin e Kalifornisë Merced dhe atij Santa Cruz, e sipas përllogaritjeve, kanalet me ujë të Kalifornisë do të ruanin 63 miliardë galon me ujë çdo vit, nëse do të kishin “kapakët” e tyre.

Shkencëtarët thanë se instalimi i paneleve diellore do t'i kthente kanalet në burime të rinovueshme të energjisë pasi ato mund të prodhonin 13 GW energji elektrike. Kjo është rreth një e gjashta e energjisë totale që prodhon Kalifornia.

Panelet diellore në fakt do të mund të vendoseshin mbi kanale me ndihmën e kabllove varëse, e efekti i ftohjes do të realizohej përmes ujit që rrjedh nën to, dhe do të ruante efikasitetin e paneleve që mund të shkatërrohen gjatë ditëve të nxehta.

Një sasi e madhe e ujit të ruajtur, që arrin në rreth 63 miliardë gallona, do të përdoret për të ujitur më shumë se 20,000 hektarë tokë ose për furnizimin me ujë të pijshëm të mjaftueshëm për dy milion njerëz. Ndërsa kjo duket e vogël në krahasim me tokën e madhe të përdorur nga fermat në Kaliforni, duke pasur parasysh thatësirat e rënda të së kaluarës, kontributi do të ishte ende i mirëpritur.

Projekti pritet të përfundojë deri në vitin 2024, pas së cilës do të vendoset nëse do të zgjerohet më tej./Motilokal.com