Lumi i Vjosës, i Shalës, Munella dhe Alpet Shqiptare shpallen zona të mbrojtura

Lumi i Vjosës, i Shalës, Munella dhe Alpet Shqiptare shpallen zona të mbrojtura

Qeveria ka vendosur të shpallë parqe natyrore Lumin e Vjosës, Luginën e Shalës, Parkun e Munellës dhe Alpet e Shqipërisë.

Lajmi u bë me dije nga Mirela Kumbaro pas mbledhjes së qeverisë të mërkurën.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit tha se për Vjosën, që ka qenë një çështje shumë e debatuar ka pasur kontribut nga shumë aktorë derisa u mor ky vendim.

Sipas saj territori i mbrojtur në Shqipëri ka shkuar nga 18 në 21 për qind.

Kumbaro tha se “një punë shumë e gjatë e kryer nga Ministrja e Turizmit dhe e Mjedisit dhe nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, që prej më shumë se dy vitesh ka punuar në terren për të bërë një përditësim të të gjithë territorit, rishikim, rivlerësim të zonave ekzistuese të mbrojtura të gjitha kategorive që nga monumente e kulturës, monumentet e natyrë, parqet kombëtare apo rezervatet, duke pasqyruar në këtë rishikim gjithçka ka ndodhur në territor në 30 vitet e fundit ku shpeshherë nuk janë pasur parasysh kriteret mbrojtëse, nuk janë respektuar këto koordinata dhe kishim një mospërputhje të realitetit me ndryshimet që kanë ndodhur qoftë për shkaqe urbanistike, demografike, natyrore në territor me listën e monumenteve të natyrës apo zonat e mbrojtura”.

Kumbaro shtoi se ky proces pasi ka kaluar në të gjithë institucionet publike por dhe bashkitë, pas miratimit të Këshillit Kombëtarë të Territorit në 2020 u përfundua me të gjitha saktësimin dhe harta përkatëse në dy vendimet e sotme.

Ajo tha se u shpallën zona të reja Park Natyror lumi i Vjosës, lumi i Shalës, Alpet e Shqipërisë dhe Munella.

“Jemi gati duke bërë edhe dy vendime të tjera që do të procedohen më tej. Me këtë proces rishikimi kemi jo vetëm përditësim të atyre çfarë kishim, por kemi shpallje të reja, siç është lumi i Vjosës. Aq shumë i debatuar, dua të them se është një kontribut i përbashkët i shumë aktorëve. Apo siç është lumi i Shalës, lugina. Pra në kështu shkojmë me dy zona të reja të mbrojtura në nivelin Park Natyror, çfarë na jep mundësinë të bëjmë një planifikim më të mirë dhe një organizim më të mirë të aktiviteteve turistike ekonomike që mund të zhvillohen. Kemi një lajm të mirë, që shpallja me këtë vendim e parkut Alpet e Shqipërisë ku kemi një organizim të disa hapësirave të copëzuara më parë, siç është Thethi apo lumi i Gashit apo Valbona duke i përfshirë në territor më të gjerë që shkon në 20 mijë hektarë. Në total nga 18 % të territorit që kishim në letra me zona të mbrojtura sot kemi 21 % të territorit dhe me dy vendimet e tjera që janë në proces verifikimi mbërrijmë në një aset kombëtare, dhe në vitin 2022 do ta përfundojmë me koordinatat. Një tjetër, Park Natyror që shpallet është dhe zona e re, Munella, me rreth 20760 hektarë”, tha ajo.

Kumbaro lajmëroi se do të krijohen strategji për të ruajtur këto zona dhe për të zhvilluar turizmin./Motilokal.com