Xhaçka flet për pasojat e tërmetit: Kosto të rënda, por askush nuk do të mbetet në rrugë

Xhaçka flet për pasojat e tërmetit: Kosto të rënda, por askush nuk do të mbetet në rrugë

Ministrja e Mbrojtjes në Shqipëri, Olta Xhaçka, në një konferencë për media ka thënë se lajmi i mirë është se pavarësisht se situata është ende aktive, fuqia e goditjeve kanë një trend të dukshëm zbritës dhe shpresojmë që të gjitha këto të jenë shenjat që kësaj situate sizmike po i vjen fundi.

Ajo ka deklaruar se operacionit të kërkim-shpëtimit po i vjen fundi dhe se prioritet mbetet që të garantohet strehim, ushqim dhe kujdes për çdo qytetar që ka mbetur pa strehë.

“Këto ditë kanë qenë vërtet të rënda e të vështira. Kanë qenë ditë tragjike, që na kanë testuar të gjithëve dhe jam shumë krenare që shqiptarët, kudo, në zonat e prekura, dhe ato jo të prekura, në rajon e kudo në botë, e kaluan këtë test në mënyrën më dinjitoze që ka fituar admirimin e botës, me solidaritetin e bashkëpunimin e tyre”, është shprehur ministrja Xhaçka.

Ministrja Xhaçka ka thënë se jetët e humbura, 48 prej të cilëve deri tani janë të identifikuara, nuk do të kthehen dot më. Kjo ngjarje ka pasur një kosto aq të rëndë në jetë të prera në mes, sa do të jetë e paharrueshme për të gjithë ne sa të kemi jetë, por, ka pasur edhe një kosto e pasoja jashtëzakonisht të rënda materiale, në shtëpi e banesa të shkatërruara.

“Nëse shtëpia juaj është e dëmtuar, mos bëni vetë ekspertin, mos rrezikoni veten e familjen. Largohuni! Largohuni për në strukturat akomoduese, siç janë qindra shtretër në hotelet më të mira në Durrës, Tiranë, Lezhë, Shëngjin apo Berat apo për tek të afërm tuaj nëse dëshironi, por largohuni deri në verifikimi e situatës nga ekspertët, sepse situata në banesat me strukturë të dëmtuar është sot po aq e rrezikshme sa ditën e goditjes së madhe sizmike. Sot ka nisur vlerësimi i rrezikshmërisë së banesave nga ekspertë shqiptarë e të huaj”, ka theksuar ajo.

Më tej ajo është shprehur se qytetarët duhet ta dinë, që pavarësisht përmasave të tragjedisë, sot jemi në një situatë ku jemi në gjendje të ofrojmë strehim dhe ushqim, veshmbathje e kujdes e mbështetje, për çdo familje e qytetar të prekur.

Shefja e mbrojtjes ka theksuar se ekipet janë të pranishëm në të gjithë zonat e prekura nga Durrësi e Thumana e deri në Laç e Lezhë. Më konkretisht, po asistohen banorët në kampingjet e ngritura në: Thumanë, Fushë Krujë, Bubq, Ishëm, Marikaj, Vorë, Kurbin, Laç, Rrogozhine, Kamëz, Durrës dhe Tiranë.

“Në total, sipas vlerësimeve paraprake në terren janë mbi 4 mijë banorë që sot e kanë të pamundur të rikthehen në banesat e tyre. Ky numër, me shumë gjasa do të ndryshojë në orët në vijim. E para, sepse një pjesë e madhe e këtyre familjeve janë qytetarë banesat e të cilëve nuk janë dëmtuar rëndë, por që si pasojë e ankthit e frikës kanë zgjedhur të kalojnë natën jashtë dhe që së shpejti me stabilizimin e situatës do të rikthehen në banesat e tyre”, ka bërë të ditur ministrja Xhaçka për media.

“E di që situata psikologjike e shumë familjeve është sot mjaft e rënduar. E mirëkuptoj dhe me shpirt e me zemër i gjendem sot afër çdo familje që ka humbur shtëpinë, që është sot e tronditur e nuk di se çfarë do të bëjë nesër për të rifilluar jetën. Por sot më shumë se kurrë na duhet mirëkuptimi dhe bashkëpunimi juaj”, u shpreh ajo. /Motilokal.com