Ministrja Kumbaro: Riciklimi të nis nga shkollat, universitetet dhe administrata

Ministrja Kumbaro: Riciklimi të nis nga shkollat, universitetet dhe administrata

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi së bashku me ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro dhe ministren e shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi kanë pritur në ambientet e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit rektorët e universiteteve, me të cilët është dakorduar dhe hartuar një plan pune konkret në kuadër të përfshirjes së universiteteve në planin e riciklimit, ndërgjegjësimit dhe edukimit për mjedisin.

Në një status në rrjetin e saj social, Ministrja Kushi theksoi se përfshirja e studentëve dhe nxënësve në këtë fushatë është shumë të rëndësishme për ruajtjen e mjedisit, si një aset apo e mirë e përbashkët edhe për brezat e ardhshëm, duke zhvilluar gjithnjë e më shumë konceptin e zhvillimit të qëndrueshëm.

Gjatë këtij takimi u diskutuan mënyrat e përfshirjes së institucioneve të arsimit të lartë në planin kombëtar të pastrimit.

Në këtë plan shumë të rëndësishëm kombëtar për pastrimin, riciklimin dhe edukimin për Mjedisin do të përfshihet edhe arsimi parauniversitar.

Nga ana e saj, ministrja Mirela Kumbaro u shpreh se riciklimin e nisim nga shkollat, universitetet dhe administrata, aty ku çdo ditë prodhohen qindra kilogramë letër, por gabimisht shkojnë në kosh si të gjitha mbetjet e tjera.

“Prandaj me ministret Kushi dhe Muzhaqi u takuam me Rektorët e universiteteve, për të nisur pa humbur sekondin një Plan Riciklimi fillimisht me letrën në të gjitha institucionet e arsimit të lartë.  Jo pa qëllim nga sektori arsimor sepse është forma më e mirë për të edukuar dhe për të nisur ndryshimin e sjelljes së shoqërisë”, tha ministrja.

Kumbaro theksoi se “nuk mjafton të pastrojmë hapësirat fizike të territorit nëse s’edukojmë hapësirën brenda kokës sonë dhe kjo fillohet pikërisht nga bankat e shkollës. E vetmja mënyrë për të ulur volumin e mbetjeve që prodhojmë është riciklimi dhe e kemi për detyrë ta shfrytëzojmë sa më shpejt dhe me eficensë”./Motilokal.com