OBSH bën thirrje për objektiva më ambiciozë për klimën për të shmangur katastrofat shëndetësore

OBSH bën thirrje për objektiva më ambiciozë për klimën për të shmangur katastrofat shëndetësore

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) u ka bërë thirrje të gjitha shteteve për objektiva më ambiciozë në lidhje me ndryshimin e klimës, përpara Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP26) në Glasgow.

OBSH jep edhe paralajmërimin e frikshëm se djegia e karburanteve fosile po na vret.

Sipas OBSH-së ndryshimi i klimës është kërcënimi më i madh shëndetësor me të cilin përballet njerëzimi.

Më tej OBSH ka kërkuar cilësi më të mirë të jetës në qytete, përparësi për këmbësorët, çiklistët dhe përdoruesit e transportit publik, si edhe një ekonomi bujqësore të qëndrueshme.

“Përmirësimet në mbrojtjen e klimës do të kishin një efekt të madh pozitiv në shëndet dhe mund të kursejnë kosto të konsiderueshme që dalin nga sëmundjet”, thekson OBSH.

OBSH vuri në dukje se vetëm ndotja e ajrit shkakton rreth shtatë milionë vdekje të parakohshme çdo vit, rreth 13 në minutë.

Nëse standardet e OBSH-së për ndotjen e ajrit do të respektoheshin, përfshirë një reduktim të ndjeshëm të emetimeve të gazrave serrë, që nxisin ndryshimin e klimës, mund të shmangen 80 për qind e vdekjeve të shkaktuara nga ndotja e ajrit./Motilokal.com