Kurti në Forumin socio-ekologjik në Shkup: Jemi plotësisht të përkushtuar për të ndjekur një tranzicion të energjisë së pastër

Kurti në Forumin socio-ekologjik në Shkup: Jemi plotësisht të përkushtuar për të ndjekur një tranzicion të energjisë së pastër

Një model të ri i qëndrueshëm ekonomik që i çon vendet e Ballkanit Perëndimor drejt përparimit social dhe ekologjik, përmirëson mirëqenien e njerëzve dhe siguron drejtësi sociale dhe ekonomike, u vlerësua si i domosdoshëm nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Forumin socio-ekologjik në Shkup.

Krahas Kryeministrit të Republikës së Maqedonisë së Veriut,  Zoran Zaev, Kryeministri Kurti, mori pjesë në panelin diskutues "Marrëveshja e Gjelbër Evropiane dhe Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor", në forumin e organizuar nga Friedrich Ebert Stiftung, Olof Palme International Center dhe Progres Institute for Social Democracy.

“Në vitin 1962, për Presidentin John Kennedy misioni ishte i qartë; Shtetet e Bashkuara duhej të shkonin në Hënë, jo sepse ishte e lehtë, por sepse ishte e vështirë. Kur tha ato fjalë, Kennedy e dinte se duke pasur parasysh rrethanat, nuk kishte zgjedhje tjetër. Pra, për shkak se nuk kishte "zgjedhje", pjesa "e vështirë" duhej bërë”, u shpreh Kurti.

Ai tha se sot ne e gjejmë veten në një situatë të ngjashme. Ndryshimi i klimës është fakt dhe kërcënon jo vetëm brezin tonë, por brezat që do vijnë dhe madje edhe vetë planetin.

“Ne nuk kemi mundësi zgjedhjeje; ne duhet të veprojmë sot edhe pse është e vështirë. Ne duhet të zvogëlojmë në mënyrë drastike ndotjen; kjo kërkon zgjedhje të vështira dhe të dhimbshme. Është veçanërisht e vështirë sepse duhet të ndryshojmë mënyrën e të bërit biznes. Përmbytjet e papara, valët e nxehtësisë dhe thatësira e kanë bërë të qartë se ekosistemi nuk mund të trajtohet në mënyrë të pavarur nga sistemi ynë ekonomik”, deklaroi Kurti.

Ekonomia qarkore, një nga blloqet kryesore të Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, u theksua nga kryeministri Kurti si një mjet që mund të na çojë drejt rritjes së qëndrueshme ekonomike, të na ndihmojë me dekarbonizimin, të optimizojë më tej energjinë dhe sistemet e transportit dhe të krijojë vende të reja pune.

Ai bëri të ditur veprimet e ndërmarra nga qeveria për të zhvilluar një model ekonomik qarkor në mënyrë që të zvogëlohen emetimet e gazrave, të ruhet biodiversiteti jonë, të ndërtohet një sistem ushqimor i qëndrueshëm dhe të adresohen problemet strukturore të rrënjosura thellë në agrokulturë.

“Prodhimi i energjisë dhe transporti brenda qytetit mbeten kontribuesit tanë më të mëdhenj në emetimet e gazrave dhe gjithashtu çojnë në ndotjen e qyteteve tona. Kjo ndikon në shëndetin e qytetarëve tanë me vdekje të parakohshme dhe cilësi të dobët të jetës”, theksoi Kurti.

"Kosova e gjeneron energjinë e saj kryesisht nga thëngjilli, me sasi shumë të kufizuara që vijnë nga hidrocentralet dhe era. Hidroenergjia nuk është dëshmuar të jetë miqësore me mjedisin në Kosovë dhe tani për fat të keq ne mbështetemi në qymyr. Kalimi nga qymyri në gaz, pavarësisht se ka një ndikim më të vogël në emetime, është kalim nga një lëndë djegëse fosile në tjetrën. Një që e kemi për një tjetër që nuk e kemi. Në atë rast, do të na duhej ta bënim tranzicionin dy herë," tha kryeministri Kurti.

Ai ritheksoi përkushtimin e plotë të Qeverisë për të ndjekur një tranzicion të energjisë së pastër dhe për të investuar në atë të ripërtëritshme, si energjia e erës dhe diellit, duke përmendur nevojën për më shumë kohë dhe veçanërisht mbështetje financiare, në mënyrë që ky proces të mos ndërpresë rritjen ekonomike e cila i nxjerr njerëzit tonë nga varfëria.

"Forumi socio-ekologjik Shkupi 2021" është forumi i parë i nivelit të lartë në Ballkanin Perëndimor, që bashkon udhëheqësit progresistë, vendimmarrësit politik rajonal, grupet e mendimit, OJQ-të, udhëheqësit e të rinjve dhe gazetarët për të diskutuar rrugën drejt një Ballkani neutral ndaj karbonit dhe një të  ardhme të gjelbër për të gjithë./Motilokal.com