3.3 milion të huaj hynë në Shqipëri gjatë verës/ 2.1 milion nga Kosova

3.3 milion të huaj hynë në Shqipëri gjatë verës/ 2.1 milion nga Kosova

Gjatë 2021-it turizmi është rimëkëmbur duke iu afruar niveleve të 2019-ës, kur ishte edhe piku i fluksit tonë. Muaji gushti rezultoi me vetëm 1.3% më pak turistë në vendin tonë se viti normal 2019.

Sipas të dhënave të INSTAT në 8 mujorin e parë të 2021-it hynë në vendin tonë mbi 4,3 milionë shtetas të huaj ose 8% më ulët se në vitin 2019.

Gjeografia e turizmit të këtij viti sugjeron se 8-mujorin e parë të 2021-it shtetet me rënien më të fortë janë Greqia dhe Spanja, ndërkohë as Italia dhe Polonia nuk i kanë kapur nivelet e 2019-ës.

Ndërkohë shqiptarët e trojeve të tjera kanë mbajtur gjallë turizmin. Rreth 2.1 milionë shtetas nga Kosova vizituan vendin tonë duke tejkaluar edhe 2019-ën, ndjekur nga Maqedonia e Veriut me rreth 448 mijë vizitorë. Nga rajoni, edhe Mali i Zi kishte rritje të fortë në krahasim dhe me 2019-ën së bashku me grupimin e shteteve të tjera.

Referuar të dhënave të Institutit të Statistikave, gjatë tre muajve të verës numri i shtetasve të huaj që u futën në territorin shqiptar ishte 3.300.534, thuajse tre herë më i lartë se sa sezoni i 2020.

Ndikim të madh tek grupi i shteteve të tjera, mund të jenë ato të lindjes së mesme, Egjipti dhe India, për të cilët qeveria vendosi të hiqte vizat, duke u bërë kështu vendi i vetëm në Evropë pa kufizime. Prania e madhe e këtyre turistëve ka bërë që për herë të parë hotelet e kryeqyteti të jenë të mbushura plot në sezonin veror.

Po ashtu, sipas INSTAT, daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit gusht 2021, janë 2.154.672, duke shënuar një rritje me 2,5 herë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit gusht 2021, janë 677.842. Krahasuar me gushtin 2020, ky numër është rritur me 2,2 herë.

Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit gusht 2021, janë 1.476.830. Krahasuar me gushtin 2020, ky numër është rritur me 2,8 herë./Motilokal.com