Reshje shiu dhe rrufe, rrezohen disa pemë dhe shtylla elektrike në Vlorë

Reshje shiu dhe rrufe, rrezohen disa pemë dhe shtylla elektrike në Vlorë

Qyteti i Vlorës po vazhdon të jetë më i prekur nga moti i ligë. Reshjet e forta të shiut të shoqëruar me stuhi dhe rrufe kanë dëmtuar rrjetin elektrik në disa zona, kryesisht përgjatë bregdetit, por edhe në lumin e Vlorës. Erërave të forta nuk iu kanë shpëtuar as pemët e qytetit bregdetar.

“Reshjet e forta, shoqëruar me stuhi dhe shkarkesa atmosferike dëmtuan rrjetin elektrik në disa zona, kryesisht përgjatë bregdetit por edhe ne Lumin e Vlorës. Konkretisht në Nartë, rrëzuar shtylla, në Himarë është stakuar fideri 1, në Dhërmi te pedonalja është shembur një kabinë, Qeparoi dhe Kudhës janë pa dritat pas dëmtimit të fiderit 6 pranë Porto Palermos, në  Rradhimë është shkëputur përcjellësi Tm, pjesë e fiderit 2, kurse në Selenicë ka probleme në kabinën “Resulaj”, gjithashtu në fshatrat Bolene dhe Vranisht. Aktualisht brigadat e avarive OSHEE Vlorë pasi morën masat tekniko-organizative janë shpërndarë në zonat e prekura, ku në disa akse është duke u punuar, në kushte aspak të favorshme moti”, thuhet në njoftimin e OSHEE-së.

Moti gjatë ditës së sotme në Vlorë, do të mbajë me vranësira. Temperaturat gjatë ditë do të arrijnë deri 18 °C. /Motilokal.com