AMMK: Gjendje jo e mirë e deponive sanitare të mbeturinave komunale

AMMK: Gjendje jo e mirë e deponive sanitare të mbeturinave komunale

Drejtoria për Vlerësimin e Gjendjes së Mjedisit, e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit (AMMK) të Kosovës, në kuadër të planit të punës për vitin 2021 ka bërë monitorimin dhe vlerësimin e gjendjes së deponive sanitare dhe stacioneve të transferit të mbeturinave komunale.

Sipas AMMK-së gjatë periudhës shkurt-qershor 2021, është bërë monitorimi dhe vlerësimi i gjendjes së deponisë sanitare të mbeturinave komunale për regjionin e Pejës, deponisë sanitare të mbeturinave komunale për regjionin e Prizrenit dhe stacionit për trasferimin e mbeturinave komunale në Gjakovë.

AMMK thotë se bazuar në vizitat e realizuara në këto deponi është konstatuar që gjendja e tyre nuk është e mirë dhe se ka probleme që ndërlidhen me menaxhimin e deponive.

“Ndër problemet kryesore të evidentuara duhet përmendur ngjeshja dhe mbulimi jo i rregullt i mbeturinave, shpërndarje jo e rregullt e mbeturinave në deponi, mbeturina jashtë rrethojave të deponis, shkarkimi i ujërave të deponisë jashtë bazenit të grumbullimit, prania e qenve endacak në zonën e deponisë si dhe prania e individëve të pa autorizuar në deponi që merren me grumbullimin e llojeve të caktuara të mbeturinave me qëllim shitjen e tyre”, thuhet në njoftim. 

AMMK thekson se raporti ka dhënë edhe disa rekomandime për ndërmarrjen e masave nga institucionet relevante për përmirësimin e gjendjes./Motilokal.com