Klosi: Do të bëjmë çdo gjë që është e mundur që oferta turistike Shqipëri-Kosovë të jetë një realitet

Klosi: Do të bëjmë çdo gjë që është e mundur që oferta turistike Shqipëri-Kosovë të jetë një realitet

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, gjatë vizitës së sotme në Prishtinë theksoi se “do të bëjmë gjithçka është e mundur që oferta turistike e përbashkët Shqipëri-Kosovë të jetë një realitet”.

Ministri Klosi është pritur nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ku edhe kanë biseduar për promovimin e turizmit në dy vendet

Në konferencën e përbashkët për media ministri Klosi tha se “për të dy qeveritë tona është një vendimmarrje e përbashkët që turizmi nuk është vetëm një kënaqësi, por një industri shumë e rëndësishme e të dy vendeve tona dhe një kontribut i rëndësishëm në ekonominë dhe buxhetin e vendeve tona”.

“Ne duhet të kuptojmë që pasuritë e mëdha që na ka dhënë natyra në të dy anët e bjeshkëve janë një pasuri e të gjithë shqiptarëve. Deti është i gjithë shqiptarëve ashtu si bjeshkët duhet të shijohen e të vizitohen dhe trajtohen nga gjithë shqiptaria”, tha Klosi.

Ministri Klosi u shpreh se “shqiptarët e Shqipërisë së përtej bjeshkëve, të Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut duhet ta shikojnë si ofertë të parë ofertën e përbashkët turistike Shqipëri-Kosovë”.

“Kemi shumë detyra për të realizuar, kemi shumë përgjegjësi mbi veten për t’ia bërë jetën sa më të lehtë jo vetëm pushuesve, por edhe komunitetit të biznesit të cilëve u përulemi me shumë respekt për sakrificat, investimet dhe po i drejtohemi zyrtarisht për të gjetur tek qeveritë tona, qeveri shumë miqësore që i nxisin të shtojnë investimet dhe të gjejnë në zyrat tona partnerë në aktivitetet e tyre. Bukuritë e pashfrytëzueshme të natyrës duhet të jenë sot një atraksion turistik”, tha Klosi.

Ministri Klosi bëri të ditur se në prag të sezonit turistik se do të zhvillohen aksione të përbashkëta pastrimi në zonat turistike.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Bislimi ka thënë se ka kënaqësinë ta pres delegacionin nga ministri Klosi.

“Nevojën e përgatitjes së kapaciteteve humane në mënyrë që turistët që shkojnë në Shqipëri për pushime. U diskutua se si rezultat i masave shihet si barriera për turizmin faktin që Kosova aplikon testin PCR”.

Tutje, ai tha se diskutuan për hapat që do të ndërmarrin dy ministritë në mënyrë që rruga të jetë sa më e lehtësuar ndërmjet dy vendeve për eliminim e detyrimit për të paguar taksën në Kalimash.

Ndërsa, Ministri i Infrastrukturës së Kosovës, Liburn Aliu, tha se përveç turizmit kanë diskutuar edhe për trajtimin e mbeturinave.“Do të kemi të bëjmë me grupe të përbashkëta rreth çështjeve kombëtare. Prandaj në bashkëpunimet tona ne do të krijojmë grupe punuese dhe do të realizojmë synimet e memorandumeve të nënshkruara ku gjatë muajit qershor do të ketë të përfshirë aktivistë të ndryshëm në aktivitetin për pastrimin e liqenit të Vërmicës”./Motilokal.com