Dita Ndërkombëtare e Biodiversitetit/ Shtohet lista e shpendëve të rrallë në Shqipëri

Dita Ndërkombëtare e Biodiversitetit/ Shtohet lista e shpendëve të rrallë në Shqipëri

Në Ditën Ndërkombëtare të Larmisë Biologjike, shoqata “Shpendët e Shqipërisë” ka bërë të ditur gjetjen e një lloji të ri shpendi për Shqipërinë, që e pasuron edhe më tej listën e shpendëve dhe biodiversitetin e vendit tonë.

Bëhet fjalë për dallëndyshen e detit krahëzezë (Glareola nordmanni), gjetur nga kërkuesit e shoqatës “Shpendët e Shqipërisë” pak ditë më parë gjatë punës kërikmore për inventarizimin e shpendëve folezues.

Ku u has ky lloj?

Sipas njoftimeve ky lloj është gjetur në Zonën e Mbrojtur Vjosë-Nartë, në xhevahirin e shndritshëm të natyrës shqiptare dhe gjithë Pellgut të Mesdheut.

May be an image of bird and nature

Dallëndyshja e detit krahëzezë, është lloj shtegtar që dimëron në Afrikë, ndërsa arealin e saj normal folezues e ka në vendet përreth pjesës veriore dhe lindore të Detit të Zi deri në skajin lindor të Kazakistanit. Së fundmi, me shumë gjasë ky shpend ka filluar të ngrejë fole edhe në vendin tonë marrë për bazë interpretimin e të dhënave të grumbulluara gjatë kërkimit.

“Me këtë lajm të dashur miq, dëshirojmë t’ju urojmë Gëzuar Ditën e Larmisë Biologjike. Shqipëria është toka e biodiversitetit, vendi më i pasur në Evropë për numrin e taksoneve për njësi sipërfaqeje. Deri më tani në vendin tonë janë konfirmuar rreth 7500 taksone bimore dhe afro 6000 lloje të faunës. Megjithatë, (sikundër faktet tregojnë dhe gjetjet e reja vit pas viti) kjo është vetëm pjesëz, ndoshta e vogël, e asaj çka është gjetur deri më tani në vendin tonë dhe shumë mbetet për t’u gjetur në të ardhmen”, thuhet në njoftim.

May be an image of bird and nature

Jeta dhe larmia e saj është fati më i madh që mund të gëzojë një vend. Jetesa dhe mbijetesa e njeriut është e pandarë nga ajo e jetës së egër. Ajri, uji, ushqimi, barnat shëruese dhe gjithçka tjetër buron nga larmia biologjike, që krahas të tjerash është kthyer në ndjellësin më të fortë të turizmit elitar. Kjo i hap vendit tonë derën e një mundësie të madhe, që u shfaqet për herë të parë dhe si kurrë më parë shqiptarëve, duke u premtuar bindshëm një jetë më të mirë dhe të ardhme më të sigurt këtu në vendin tonë, mbi bazën e një modeli ekonomik afatgjatë.

Megjithatë, fatet e mëdha të vendit tonë janë lënë jo rrallëherë në udhëkryq dhe shpesh nga politikat e keqe, të verbëra dhe të shurdhëta në rastin më të mirë dhe nga grykësia dhe dëshira për përfitim të shpejtë dhe të pak njerëzve në rastin më të keq.

Në këtë ditë, u bëjmë thirrje politikbërsve dhe institucioneve ligjzbatuse të ruajnë biodiversitetin, të mbrojnë dhe të zhvillojnë në mënyrë të qëndrueshme Rrjetin Kombëtar të Zonave të Mbrojtura. Të ruajnë dhe të mbrojnë Vjosë-Nartën, këtë ekosistem natyror të papërsëritshëm që natyra e ka krijuar prej miliona vitesh.

Shqipëria dhe shqiptarët ka tashmë shansin më të madh për të arritur shpejt dhe përgjithmonë një zhvillim social dhe ekonomik historik nëpërmjet turizmit të natyrës. Nëse dikush ka një alternativë më të mirë dhe më të qëndrueshme se kjo le ta flasë?

“Shqipëria është Toka e Biodiversitetit” dhe kjo duhet të jetë marka jonë dhe prezantimi ynë në botë./Motilokal.com