Leonardo DiCaprio apelon sërish që lumi Vjosa të shpallet Park Kombëtar

Leonardo DiCaprio apelon sërish që lumi Vjosa të shpallet Park Kombëtar

Aktori i njohur Leonardo DiCaprio ka bërë sërish thirrje që lumi i Vjosës të shpallet Park Kombëtar.

Përmes një postimi në Twitter, aktivisti për çështjet mjedisore, është shprehur se ky status “do ta mbrojë zonën nga digat dhe nga kërcënimet si shpimet e naftës dhe gazit”.

DiCaprio e shoqëroi postimin me një artikull të organizatës “Global Wildlife Conservation” të shkruar nga gazetarja Gege Li, një biokimiste e cila prej vitesh shkruan për natyrën në revista shkencore.

Në artikull përmenden protestat e vazhdueshme nga shoqëria civile dhe angazhimet e aktivistëve mjedisor apo dhe komunitetit shkencor për ta shpallur Vjosën Park Kombëtar. Lumi Vjosa buron nga malet e Pindit në Greqi. Rreth 70 kilometra nga rrjedha prej 270 kilometrash të saj kalon në territorin grek e më tej në territorin shqiptar duke vërshuar deri në Adriatik. Vjosa konsiderohet lumi i fundit në Evropë me rrjedhë të lirë.

Tre dekadat e fundit në rrjedhën e Vjosës është diskutuar të ndërtohen 45 hidrocentrale, tetë prej të cilave direkt në lumin e saj dhe të tjerat në degët që i bashkohen. Nga këto plane hidrocentralet e Kalivaçit dhe Poçemit janë ato që ekspertët e mjedisit thonë se e kërcënon më tepër.

Qeveria e kryeministrit Edi Rama tha vitin e shkuar se kishte refuzuar lejet mjedisore për ndërtimin e hidrocentraleve në Vjosë ndërsa e shpalli një pjesë të territorit të saj “Park Natyror”. Mirëpo organizata si EcoAlbania, RiverWatch, Patagonia dhe ekspertë të mjedisit janë shprehur se ky status nuk është i mjaftueshëm për ta mbrojtur tërësisht Vjosën. Ata dhe zëra ndërkombëtarë si Leonardo DiCaprio apelojnë që Vjosa të shpallet Park Kombëtar në mënyrë që e gjithë rrjedha e saj të jetë e mbrojtur nga planet e ardhshme./Motilokal.com