Dita e Tokës/ Guterres: Po plaçkisim pamatur burimet e Tokës

Dita e Tokës/ Guterres: Po plaçkisim pamatur burimet e Tokës

Në Ditën Ndërkombëtare të Tokës, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (KB) Antonio Guterres u ka bërë thirrje botës që të angazhohen për rikthimin e planetit dhe vendosjen e paqes me natyrën.

Ai përmes një mesazhi tha se “planeti është në një pikë kthese dhe njerëzimi vazhdon të abuzojë me botën natyrore”.

“Ne jemi duke plaçkitur pamatur burimet e Tokës, duke e varfëruar jetën e saj të egër dhe duke i trajtuar ajrin, tokën dhe detin si deponi. Ekosistemet kryesore dhe zinxhirët ushqimorë janë çuar në prag të kolapsit. Ne duhet t’i japim fund luftës sonë kundër natyrës”, tha udhëheqësi i KB-së.

Sekretari i Përgjithshëm i KB tha që fundi i luftës (pandemike) bën thirrje për “veprim të guximshëm klimatik” për të kufizuar rritjen e temperaturës globale në 1.5 gradë Celsius.

Ai shtoi se hapa më të fortë nevojiten gjithashtu për të mbrojtur biodiversitetin dhe për të zvogëluar ndotjen dhe mbeturinat.

Ai është i bindur se këto hapa jo vetëm që do të mbrojnë “shtëpinë tonë të vetme”, por gjithashtu do të krijojnë miliona vende të reja pune.

“Rimëkëmbja nga pandemia COVID-19 është një mundësi për ta vendosur botën në një rrugë më të pastër, më të gjelbër dhe më të qëndrueshme. Në Ditën Ndërkombëtare të Nënës së Tokës, le t’i përkushtohemi planetit tonë dhe të vendosim paqen me natyrën”, tha Guterres.

22 prilli është shpallur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara Dita Ndërkombëtare e Tokës. Tema e këtij viti është “Le të Rindërtojmë Tokën Tonë” dhe përqendrohet në proceset natyrore, teknologjitë e reja të gjelbra dhe mendimin inovativ që mund të rikthejnë ekosistemet e botës./Motilokal.com