Prishtina e shëmtuar nga ndotja vizuele [Foto]

Prishtina e shëmtuar nga ndotja vizuele [Foto]

Estetika urbane mjedisore është ajo që na mungon në rrugë, qytete, fabrika, fshatra, pyje, lumenj, parqe, etj. Apo siç thuhet në popull jashtë "gardhit" tim, bëni ç’të doni. Rrugët, qoshet e ndërtesave janë të pushtuar nga bërllogu, apo billboard-et me lloj-lloj reklamash dhe ajo që të bie në sy e që janë të vendosura pa shije, pa standard e ndoshta pa leje paraprake janë edhe shenjat reklamuese të bizneseve që kanë pushtuar muret e banesave, lokaleve që sapo t’i shikosh ta zënë frymën.

Kjo dukuri njihet si ndotje vizuele dhe si e tillë është problem i shoqërisë që sa shkon e rritet. Kjo ‘shfaqje’ si shënjestër e ka qytetarin, i  cili është i bombarduar nga format dhe germat më të mundshme. Shembujt e ndotjes vizuale janë të shumtë, duke filluar nga billboard-et në rrugë, të cilët shkaktojnë stres dhe kaos vizuel, më pastaj grafitet, reklamat e bizneseve, pjesët e lëna në harresë si objektet apo monumentet, një shtrim rruge të shkatërruar, etj.

Një ndotje e tillë e ka ngulfatur edhe Prishtinën. Në të djathtë, në të majtë, ngado që kthehesh, ecësh sytë do të shohin lloj-lloj posterash e strukturash betoni dhe metali me reklama pa shije, pa model, pa standard që kanë vërshuar muret e banesave dhe lokaleve. E tërë kjo ngjan si me një pandemi. Të gjitha në një formë apo tjetër akoma më shumë po e shëmtojnë këtë qytet, i cili edhe ashtu nuk është që njihet për ndonjë estetikë urbane.

Redaksia e Motilokal.com i ka dërguar pyetje Komunës së Prishtinës në lidhje me këto reklama të shumta se a kanë leje dhe a ka vendosur ndonjë standard se si duhet jenë. Por deri më tani nuk kemi marrë përgjigje.

Motilokal.com ju sjellë disa pamje të ndotjes vizuale./Motilokal.com

*Shënim: Ne nuk marrim përgjegjësi nëse ndonjëri prej brendeve ka leje nga Komuna e Prishtinës për vendosje dhe është e përfshirë në hulumtim tonë. Ne nuk kemi për qëllim dëmtimin e ndonjë brendi, mirëpo jemi kundër që kjo formë e reklamimit të ndodh te ne kur dihet që vendet tjera europiane e kanë të rregulluar me standarde këtë çështje.