Një ndër prodhuesit më të mëdhenj të telefonave mobil po futet në treg me prodhimin e veturave elektrike. Dhe nuk është Apple.
Prodhuesi i telefonave nga Kina, Xiaomi ka njoftuar se do të investojë 10 miliard dollarë gjatë dekadës së ardhshme në një filial të përqendruar në "biznesin e zgjuar të automjeteve elektrike".
Investimi fillestar do të jetë me vlerë 1.5 miliard dollarë, tha kompania.
Xiaomi është një nga prodhuesit më të mëdhenj të telefonave inteligjentë në botë por gjithashtu prodhon një sërë pajisjesh duke përfshirë kamera sigurie në shtëpi, rroje elektrike, furça dhëmbësh, llamba, orë dore dhe skuter. Kompania nuk dha detaje të mëtejshme mbi strategjinë e saj për hyrjen në industrinë e automobilave, dhe nëse ajo do të përqendrohet në prodhim, softuer, ose të dyja.
Pavarësisht nga planet e saj, Xiaomi do të përballet me një fushë të mbushur plot me konkurrentë të cilët po përpiqen të prodhojnë automjete elektrike në shkallë duke përfshirë Tesla (TSLA) dhe prodhuesit tradicionalë të veturave të tilla si Volkswagen dhe General Motors, të gjitha këto kanë punuar për vite për të zhvilluar dhe shitur vetura elektrike që konsumatorët duan të blejnë.
Dhe në fillim të këtij viti kishte një mori spekulimesh se Apple ishte në prag të daljes në publik me planet e përfolura prej kohësh për të bërë një makinë elektrike, ndoshta në partneritet me një markë të vendosur
Një numër i madh i ndërmarrjeve të tjera të teknologjisë kanë krijuar partneritete me prodhuesit e veturave, duke shpresuar të përfitojnë nga tregu i madh potencial për zbatimin e softuerit siç është ngasja autonome./Motilokal.com