Maskat ‘pushtojnë’ planetin, rreziku që i kanoset ekosistemit

Maskat ‘pushtojnë’ planetin, rreziku që i kanoset ekosistemit

Kriza COVID-19 ka detyruar njerëzit në të gjithë botën të mbajnë pajisje mbrojtëse personale siç janë maska dhe doreza. Por mbeturinat e krijuara nga këto sende kanë pasoja më të mëdha për mjedisin. Në disa aspekte, pandemia ka penguar luftën kundër mbetjeve plastike.

Nëse marrim shembullin e Mbretërisë së Bashkuar, rreth 1500 ton maska për fytyrën dhe doreza po hidhen çdo muaj.

Maskat e hedhura gjenden kudo në rrugë, ndërsa në parqe është e pamundur të mos gjesh maska të hedhura në bar.

Pjesa më e madhe e këtyre mbeturinave përfundojnë në pikat e grumbullimit ku do të duhen shekuj që të asgjësohen. Por një sasi e madhe lihet dhe në tokë duke dëmtuar ekosistemin.

Maskat kanë tejkaluar në sasi qeset plastike, duke u bërë nga mbeturinat më të zakonshme. Të dhënat tregojnë se hidhen 102 milion në javë, një sasi që mund të mbulojë 232 herë një fushë futbolli.

Materiale të ripërdorshme

Këshilltari Clyde Loakes kryeson Autoritetin e Mbetjeve në Londrën Veriore. Ai thotë se ka një masë të thjeshtë afatshkurtër që njerëzit mund të marrin. Ai inkurajon të gjithë ata që munden, të përdorin maskat e ripërdorshme dhe thekson faktin se "nuk duhet të harrojmë se jemi akoma në një emergjencë klimatike dhe të gjithë duhet të bëjmë gjithçka që mundemi".

Zgjidhja e biodegradueshme

Eksperti i plastikës, Jason Hallet, gjithashtu ka një zgjidhje tjetër. Ai beson se materiali i biodegradueshëm është mënyra për të kundërshtuar ndikimin negativ të prodhimit të ardhshëm të pajisjeve mbrojtëse personale.

Në Bashkimin Europian

Në pranverën e vitit 2020, gjatë kulmit të krizës COVID-19, Konvertuesit e Plastikës Europiane (EuPC) i shkroi një letër Komisionit Europian për të shtyrë zbatimin e direktivës europiane që do të kufizojë përdorimin e plastikës. Kërkesa u refuzua. Por kjo tregon se lobimi për plastikën është ende shumë i pranishëm./Motilokal.com