Studim: Njerëzit konsumojnë mijëra grimca plastike çdo vit

Studim: Njerëzit konsumojnë mijëra grimca plastike çdo vit

Sipas një hulumtimi të publikuar në Ditën Botërore të Mjedisit, që ngriti dilema të reja rreth asaj se si mbeturinat plastike mund të ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin tonë, njerëzit konsumojnë dhe thithin nëpërmjet frymëmarrjes dhjetëra mijëra grimca mikroplastike çdo vit. Këto mikroplastika të bëra nga njeriu, si veshjet sintetike, gomat e makinave dhe lentet janë ndër materialet më të kudondodhura në planet.

Ato janë gjetur në disa prej akullnajave më të larta të botës dhe në fund të llogoreve më të thella të oqeanit. Disa studime të mëhershme kanë treguar se si mikroplastikat mund të hyjnë në zinxhirin e ushqimit të njeriut, pasi u gjenden në pothuajse të gjitha markat kryesore të ujit të pijes, sidomos në shishet e plastikës.

Shkencëtarët kanadezë analizuan qindra të dhëna për kontaminimin mikroplastik dhe i krahasuan ato me mënyrën e të ushqyerit dhe konsumimin e amerikanëve.

Ata zbuluan se një mashkull i rritur mund të konsumojë deri në 52,000 grimca mikroplastike çdo vit.

Duke marrë parasysh ndotjen që rrethon planetin, kjo shifër u rrit në 121,000 grimca - ekuivalente me mbi 320 grimca çdo ditë.

Studimi përkoi me Ditën Botërore të Mjedisit të Kombeve të Bashkuara, tema e të cilit këtë vit është ndotja e ajrit.

Rreth 90,000 grimca të tjera shtohen nëse konsumojmë vetëm ujë në shishe, vazhdon ky studim, i publikuar në revistën Environmental Science and Technology.

Autorët theksuan se shifrat e tyre ishin vlerësime. Sasia e plastikës së konsumuar nga një individ i caktuar do të varet kryesisht nga ku jetojnë dhe çfarë konsumojnë, thanë ata.

Ata gjithashtu theksuan se ndikimi në shëndetin e njeriut të konsumimit të mikroplastikave ende nuk është qartësuar.

Rreziku i mikroplastikës nuk është i qartë

Alastair Grant, profesor i ekologjisë në Universitetin e Anglisë Lindore, tha se nuk kishte prova që grimcat plastike të identifikuara në studim paraqitnin ndonjë "rrezik të rëndësishëm për shëndetin e njeriut".

Grant, i cili nuk ishte përfshirë në kërkimin shkencor, shtoi se ka të ngjarë që vetëm një përqindje e vogël e grimcave të thithura mund të përfundojnë në mushkëri.

"Një nga dy burimet për përqendrimet e grimcave në ajër thotë se fibrat e vëzhguara janë shumë të mëdha për t'u inhaluar, kështu që numri i grimcave që në të vërtetë arrijnë në mushkëritë tona do të jetë shumë më i vogël sesa shifrat e publikuara", tha ai.

Autorët thanë se duhet bërë më shumë kërkime për të kuptuar më mirë se sa mikrogrimca arrijnë në mushkëri dhe stomak, dhe nëse po, çfarë rreziku paraqet.

"Mënyra më efektive për të zvogëluar konsumin njerëzor të mikroplastikës ka të ngjarë të reduktojë prodhimin dhe përdorimin e plastikës," thanë ata. /Motilokal/