Ditë më parë, Gjykata Themelore në Gjilan ka urdhëruar autoritetet përkatëse që të zhvendosin luanin nga kafazi dhe t’i bëhej një zgjidhje e përshtatshme jashtë Kosovës.
Luani “Gjoni”, deri më tani është mbajtur ilegalisht në një restorant të këtij qyteti.
Por Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit ende nuk ka marrë ndonjë veprim konkret për rastin e luanit. E, për këtë ka reaguar edhe Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.
Përmes një postimi në Twitter, Von Cramon ka kërkuar që sa më shpejtë të bëhet transferimi i luanit për në Shqipëri.
“Ministritë e Kosovës dhe Shqipërisë nuk e kanë autorizuar transportin e tij. I bëj thirrje ministrive të veprojnë menjëherë”, thuhet në reagim.
Pas kësaj, ka reaguar edhe ministri në detyrë i Ekonomisë dhe Ambientit, Muharrem Nitaj, i cili ka thënë se mirëpret interesimin e raportueses për fatin e luanit “Gjoni”.
Shkresa e plotë e Ministrit Nitaj:
E mirëpres interesimin e Raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, lidhur me fatin e luanit “Gjoni”, që tash e një kohë mbahet në kushte joadekuate në Gjilan.
E njoftoje opinion publik dhe znj. Von Craemon që Ministria që drejtoj i ka ndërmarr të gjitha hapat e nevojshem proceduralë e ligjorë për lirimin dhe transferimin e tij në një vend ku luani “Gjoni”, do të trajtohej në përputhje me normat e kërkuara.
Tashme kemi një vendim të Gjykatës për sekuestrimin dhetransferimin e tij në një vend tjetër, por fatkeqësisht Kosova nuk është nënshkruese e Konventës CITES për qarkullim ndërkufitar të llojeve të kafshëve, andaj ne kemi kërkuar nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë që të mundësojnë transferimin e luanit “Gjoni”, përmes Shtetit Shqiptar, prej nga dhe është kontrabanduar në Kosovë i njëjti.
Jam në bashkëpunim të ngushtë me Ministrin shqiptar, Klosi, dhe me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Prishtinë dhe jemi në pritje të përfundimit të dokumentacionit të nevojshëm nga Shteti Shqiptar që kjo çështje të mbyllet.
Shpreh keqardhjen që një problem kaq i lehtë ka kërkuar kaq shumë kohë për t’i gjetur zgjidhje, kjo edhe për shkak të pengesave që ka shteti i Kosovës në raport me konventat e caktuara.
Njëkohësisht shpreh mirënjohjen time për Fondacionin “Four Paws” që ka shprehur gatishmërinë që të merr përsipër organizimin e transportit të luanit “Gjoni”, nga Kosova në një vend të tretë, në këtë rast në Holandë./Motilokal.com