Sonda e misionit të parë ndërplanetar arab pritet të hyjë në orbitën rreth Marsit të martën, në atë që konsiderohet si pjesa më kritike e një udhëtimi për të zbuluar sekretet e motit në Planetin e Kuq.
Sonda “Al-Amal” (“Shpresa”) drejtohet nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Nëse është i suksesshëm, sonda e cila është krijuar për të zbuluar sekretet e motit marsian, do të bëhet e para nga tre anijet kozmike që do të mbërrijnë në Planetin e Kuq këtë muaj.
Emiratet e Bashkuara Arabe, Kina dhe Shtetet e Bashkuara filluan të gjitha misionet korrikun e kaluar, duke përfituar nga një periudhë kur Toka dhe Marsi janë më të afërt.
Ambiciet hapësinore të këtij vendi të Gjirit shihen si një kujtim i epokës së artë të arritjeve të mëdha kulturore dhe shkencore në Lindjen e Mesme.
Nëse gjithçka shkon mirë, Burj Khalifa, kulla më e gjatë në botë, në formë gjilpëre, do të jetë në qendër të një shfaqje festive.
"Ky projekt do të thotë shumë për kombin, për të gjithë rajonin dhe për komunitetin botëror shkencor dhe hapësinor", i tha AFP Omran Sharaf, menaxheri i projektit të misionit.
Ndërsa sonda është krijuar për të siguruar një imazh gjithëpërfshirës të dinamikës së motit të planetit, ky është gjithashtu një hap drejt një qëllimi shumë më ambicioz - ndërtimi i një vendbanimi njerëzor në Mars brenda 100 viteve të ardhshme.
"Sonda ka një normë suksesi prej 50 për qind në hyrjen në orbitën e Marsit, por ne arritëm 90 për qind të qëllimeve tona në ndërtimin e njohurive të reja", shkroi Sheik Mohammed bin Rashid Al-Maktoum, kryeministri i Emirateve të Bashkuara Arabe dhe sundimtari i Dubait, në Twitter këtë muaj.
Hope do të përdorë tre instrumente shkencorë për të monitoruar atmosferën e planetit dhe pritet të fillojë transmetimin e të dhënave përsëri në Tokë në shtator të viti 2021, për t'u dhënë në dispozicion shkencëtarëve në të gjithë botën./Motilokal.com