Njihuni me Arinetën, pushtuesen e Mount Everestit e deri të ballafaqimi me mbeturinat në malet e Kosovës

Njihuni me Arinetën, pushtuesen e Mount Everestit e deri të ballafaqimi me mbeturinat në malet e Kosovës

Arineta Mula është një alpiniste dhe bjeshkatare si dhe e pasionuar pas vrapimit. Ka pushtuar majat më të larta botërore si atë të Mount Everestit, Aconcagua – malin më të lartë në Amerikën Jugore, Elbrusin në Rusi - majën më të lartë në dhe Denalin majën më të lartë të Amerikën Veriore. Në një bisedë për motilokal.com, ajo sjell rrëfimet dhe aventurat e saj gjatë ngjitjes së këtyre majave. Për të ngjitja në Malin Everest është një arritje e madhe përkundër shumë problemeve që e përcollën që nga nisja e deri te ballafaqimi me vdekjen. Synimet e saj mbeten pushtimi e majave më të vështira të globit. Arineta, përveç si apliniste njihet edhe si promotore e ruajtjes së ambientit. Ajo pothuajse pas çdo vrapimi e kryen edhe punën e pastrimit të natyrës.

Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj

Arinetë, si ju lindi pasioni për t'i pushtuar majat e maleve? 

Gjithçka filloi kur Malësorja, një mikeshë e imja, më pyeti nëse isha për një ecje në fundjavë me grupin “Hiking Njeri”. Unë zakonisht shoqërisë u përgjigjem pozitivisht. Dhe që prej asaj fundjave të viti 2014 e deri më tani nuk kam ndaluar asnjëherë. 

Çfarë do të thotë për ju të ngjiteni në një majë dhe çfarë ndjeni në momentet e pushtimit të saj? 

Tani kanë një botëkuptim tjetër për dallim nga malet, që e kisha në fillim të aktivitetit tim në natyrë. Derisa atëherë nuk kam shikuar shumë përreth. Qëllimi im ishte se si më shpejt dhe fuqishëm të arrijë në maje, e që ka qenë një sfidë me veten.

Ndërsa sot përjetimi për pushtimin e majës të një mali ka ndryshuar, sepse nuk përqendrohem më te shpejtësia. Dua të ndjej secilin hap në ngjitje, por edhe të shoh përreth malet, kodrinat apo liqenet. Tani i kam vënë edhe një si lloj detyre vetes, si lloj  pyetje/përgjigje se a po i di malet përreth. Kështu, pas disa vitesh i njoh më shumë malet dhe puna si udhërrëfyese malore me ka ndihmuar shumë që të ndryshoj qasjen ndaj ecjes nëpër male. 

Njëra prej sukseseve tuaja llogaritet edhe ngjitja në Mount Everest.  Çfarë do të mund të ndanit me lexuesit e portalit tonë, ndonjë gjë që për ju do të thotë shumë?

Everesti është vijë e hollë mes jetës dhe vdekjes. Është një nga vendimet me të mëdha të mija që më ka ndryshuar jetën, jo vetëm mua, por edhe familjes dhe shoqërisë e natyrisht edhe vendit tim meqë isha në ekspeditën e parë nga Kosova për në Everest.

Everesti për dallim nga gjithçka që kam arritur deri më tani më ka dhënë dy mendime skajshmërisht ndryshe. Në njërën anë kam kuptuar që ngjitja në malin më të lartë në botë nuk është arritje individuale dhe se suksesi i takon të gjithë atyre të cilët me përzgjodhën dhe më ndihmuan në aspektin financiar që ta realizoj këtë ekspeditë, sepse është shumë e shtrenjtë. Por në anën tjetër isha shtylla kryesore e organizimit të kësaj ekspedite sa i përket gjetjes se kompanisë dhe çmimit. E duke bartur një lloj përgjegjësie mbi supet e mia kam zgjedhur koston më të ulët të mundshme, e cila për pak më ka kushtuar edhe me jetë. Po e them këtë sepse përgjatë dy muajve sa zgjati ekspedita i bie që aq sa paguan i ke edhe shërbimet e ushqimit, ujit dhe sigurisë. Ndoshta tani që jam shëndoshë e mirë me duket arritje shumë e madhe nga vetvetja që kam arritur ta shkel majën Everest me kushte minimale për dallim nga të tjerët, ani pse edhe po të më jepej një mundësi e dytë nuk besoj që do të kisha kërkuar kushte/shërbime më të larta. Në fund të fundit përgatitja fizike dhe mendore ka bërë që të jem e përgatitur për secilin moment të vështirësisë që e kam pasur e sidomos kur kam mbetur pa oksigjen, momentet kur kam qenë shumë pranë me vdekjen! 


Për të realizuar një udhëtim kaq të gjatë dhe të vështirë s'do mend se duhet përgatitje. Sa zgjasin përgatitjet e një alpinisti për të qenë në formë? 

Në vendin tonë nuk ka alpinistë të kompletuar. Është krijuar përshtypja se nëse ngjitesh në Himalaje ose nëse ngjitesh në ndonjë mal mban emrin e një alpinisti. Thjesht, unë veten time e konsideroj një bjeshkatare dhe këtë e kam kuptuar tek pas shumë ekspeditave që i kam bërë duke takuar shumë alpinistë tipikë, të cilët bëjnë ngjitje të jashtëzakonshme, por që shumica e tyre vendosin që të mos jenë të njohur nga mediet.

Kështu që vështirësitë më të mëdha besoj i kam pasur për shkak të udhëtimit derisa pas një procesi të gjatë që respektova rregullat u pajisa me pasaportë shqiptare.

Po ashtu, organizimi i të gjitha ekspeditave, gjetja e financave dhe të gjitha këto nuk më kanë dhënë edhe shumë hapësirë të mendoj a jam e gatshme apo jo.

Sigurisht, ata që më njohin e dinë fare mirë se unë tash e sa vite vrapoj rregullisht në malin e Gërmisë. Po ashtu ngjitja nëpër male ka qenë pjesë e përgatitjeve.

Duhet ta pranoj një fakt se ngjitjet më të vështira që i kam pasur ndonjëherë kanë vënë në pyetje aspektin mendor dhe jo vetëm atë fizik. Kështu që të dyja këto kanë rol shumë të madh.

Cilat janë majat që i keni pushtuar deri më tani dhe cilat ju kanë mbetur pa i pushtuar? 

Ka shumë male në të cilat jam ngjitur në Kosovë dhe jashtë. Shqipëria ka vargmale të jashtëzakonshme e të cilat kam arritur të ngjitem në kushte dimërore. Ka shumë male që pritet të ec e të ngjitem, por kjo krejt varet nga shumë faktorë. Megjithatë jam e kënaqur si gjithmonë, nëse jo jashtë Kosovës, do të eci edhe malet e vendit dhe rajonit të cilat nëse i qasesh shtigjeve të pashkelura ose mureve veriore e jugore atëherë mjaftojnë. 

Çfarë ju shkon në mend më së shumti derisa ngjiteni lartësive? 

Unë i dua lartësitë dhe në çdo mal që kam shkuar kam thyer rekorde personale, të ngjitem shpejt pa u aklimatizuar – për shembull derisa dikujt i duhet një muaj për t’u ngjitur në një mal, unë e kam bërë këtë vetëm për tetë ditë si p.sh. në Ama Dablam, ku edhe mediet botërore tërhoqën vëmendjen nga unë në momentin që jam kthyer në kampin bazë, e kjo ka ndodhur në nëntor të 2017-ës.

Nuk është kjo e vetmja, janë edhe male të tjera si Aconcagua – mali më i lartë në Amerikën Jugore, Elbrusi në Rusi, por edhe Denali i fundit që më ka vërtetuar që jam mirë me lartësitë. E kjo është shumë me rëndësi për malet që janë të larta, por jo doemos të vështira. Nuk është e thënë se një mal që ka lartësinë ta ketë edhe vështirësinë.

Mendja me shkon vetëm te gjendja ime fizike derisa të zbres, sepse zbritja mund të jetë shumë më sfiduese se ngjitja. 


Le t'i kthehemi aktiviteteve tuaja në Kosovë. Ju jeni pjesë e shoqatës Kosova Trail Running Association. A mund të na tregoni më shumë rreth kësaj shoqate?  

Kosova Trail Running Association – është klubi i parë dhe që më së shumti e ka promovuar vrapimin malor në vend. Jemi të parët që kanë organizuar vrapime ultra maratonike – distanca mbi 50 kilometra, ndërsa dhe në vitin 2018 si garën 100 km të njohur si Shtegu i Shpresës. Klubi vazhdon të funksionojë me një qëllim të vetëm dhe të njëjtë që të promovojë sa më shumë vrapimin malor në vend. Ndërkaq, pjesëmarrja jonë si grup tashmë ka vite që ka marrë përmasa të mëdha duke marrë pjesë në vrapime malore që zhvillohen nëpër vende të ndryshme të botës.

Jam shumë krenare të jem pjesë e këtij klubi të vrapimit dhe të jem afër njerëzve ku secili ka nga një storie, që janë shumë inspiruese. Për ta kam mundësi të flas apo të shkruaj pa ndalim. 


Me aq sa kam kuptuar ju edhe në vrapim keni vënë rekorde. A mund të na tregoni diçka më shumë rreth këtij aktiviteti? 

Në vrapime malore kam vënë dy rekorde, atëherë kur pjesëmarrja e femrave ka qenë e vogël, po flas për vitin 2017, ku asnjë femër në Kosovë nuk ka vrapuar distanca ultra maratonike 110 kilometra me 5400 metra ngjitje. Por, rekordet nuk janë qëllimi im. Më shumë e kam mënyrë jetese dhe unë e dua vrapimin si sport, sepse e kam pasur si të vetmen përgatitje fizike për ekspedita. Ç’ka qenë më e veçantë si arritje është se këtë vit kam qenë përfaqësuese e vetme nga Kosova në UTMB – Vrapimi malor Mount Blanc në distancë 100 kilometra, e që është ëndërr e secilit vrapues malor të jetë pjesë e kësaj gare e që njihet si shumë strikte edhe për nga forma e aplikimit pasi që kalon nëpër një procedurë shumë e gjatë të përzgjedhjes së vrapuesve dhe unë isha një prej tyre. Këtu sigurisht që e kisha përvojën më të mirë jo vetëm të kaloja me suksese garën si sfidë, por edhe të takoja vrapuesit malor më të mirë në botë. 

A ka shtigje vrapimi në Kosovë? 

Ka shtigje të mjaftueshme në Kosovë. Vrapimi malor i bie njëjtë sikur të shkoni në një shteg për t’u ngjitur në mal, veçse dallimi është nëse e ke qëllimin për vrapim, atëherë i merr pajisjet më të lehta, shumë me pak ushqim, ujë dhe ngjitjen e bën ecje të shpejtë derisa zbritjen e bënë vrapim shumë të shpejt ku edhe fiton kohë. Konsideroj që çdo shteg i ecjes, por edhe maja e malit mund të shndërrohet në vrapim malor. Diçka që ne e kemi bërë si grup viteve të kaluar dhe ende e bëjmë. 


Në një foto tuajën shihen mbeturina gjatë vrapimit. A do të thotë kjo se ju hasni shumë në këso deponish dhe a janë të rrezikshme për vrapuesit?  

Mbeturinat janë çështje që na prekin të gjithëve si shoqëri. Ne si grup kemi marrë shumë iniciativa dhe gjithmonë jemi pjesë e tyre sa i përket mbledhjes se mbeturinave të hasim masivisht në parkun e Gërmisë, aty ku e quajmë edhe si shtëpia jonë.

Por, problemi qëndron se mbeturinat si problem shumë serioz lidhet me kulturën njerëzore. Qasja karshi kësaj problematike kërkon më shumë mund sesa mbledhja e mbeturinave, ç’gjë e bëjmë ne si grup apo denoncimit të saj përmes postimit të fotografive. Luftimi i kësaj dukurie nuk bëhet nga një grup i vogël individësh, por për këtë duhet të ekzistojë një strategji stabile dhe e vazhdueshme që fillon nga shkollat e deri te institucionet më të rëndësishme, pa harruar rolin edukativ që ka familja.

Mbeturinat janë rrezik shumë i madh për të gjithë popullin dhe duhet patjetër të mos ndalemi që të krijojmë një ambient sa më të pastër.  


A mendoni se sportistët do të mund të ndikonin edhe më shumë në vetëdijesimin e qytetarëve për ruajtjen e ambientit?   

Si sportiste kam qenë e ftuar në baza vullnetare në shumë evente e ndër më të rëndësishmet ka qenë iniciativa e Bashkimit Europian. Isha ndër katër njerëzit me më ndikim që do të promovonin dhe do të flisnin për rrezikun që i kanoset vendit tonë nga ndotja e mjedisit.

Meqë punoj si udhërrëfyese malore gjatë tërë kohës kam qenë me turistë nga mbarë bota, të cilët ishin të mahnitur me natyrën tonë, por ankesa më e madhe e tyre ka qenë hedhja e mbeturinave përgjatë shtigjeve. Kështu që kjo ishte iniciativa e parë që e ndërmora bashkë me ta vitin e kaluar ku çdo ditë kemi mbledhur mbeturina dhe i kam postuar në rrjete sociale.

Ne s’duhet të ndalojmë as edhe për një çast të vetëm në vetëdijësimin e qytetarëve për ndotjen e mjedisit dhe besoj që secili prej nesh duhet ta japë kontributin për pastrimin e tij, por edhe me publikimin e fotove përmes të së cilave do të denoncoheshin personat e pandërgjegjshëm.

Personalisht, jo gjithçka publikoj në rrjetet sociale, por kudo që i has ato i mbledhi dhe i fus në shportën më të afërt apo në çantë. 

Arinetë, cilat janë planet tuaja për të ardhmen dhe a keni ndonjë ëndërr që ju "ndërpret" gjumin?

Ëndrra ime e vetme që ma ndërpret gjumin është frika mos nuk më ka dalë gjumi për vrapimin e hershëm në Gërmi. Nejse, kjo ishte një shaka, por që ka brenda të vërtetën.

Derisa ëndrrat tjera si qëllime nuk më kanë mbetur të paplotësuara, përpos që gjithçka që do ta bëj të jetë e mirëseardhur jo vetëm për mua, por edhe për tërë komunitetin. /Motilokal.com