Kur flasim për Divjakën, kemi parasysh pyllin me pisha të buta, detin dhe mbi të gjitha Lagunat me biodiversitetin e befasues.
Po të shkosh në këtë stinë në Divjakë, kohë kur shpendët kthehen për tu strehuar nga ngricat dimërore në këtë klimë të butë me ujëra që ngrijnë rrallë, gjen një peizazh të rrallë.
Vetëm vëzhgimi i shpendëve të shumëllojtë, të bën rob pranë stacioneve të vëzhgimit apo dylbive.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, ka publikuar këtë të diel pamje nga Parku Kombëtar i Divjakë-Karavastasë, apo siç shprehet ai “parajsa e shpendëve”.
“Në parajsën e shpendëve në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta”, ka shkruar Klosi.
Në të rriten disa lloje të rralla pishash dhe një lloj i rrallë Pelikani, Dalmatian Pelican. Supozohet se 5 % e të gjithë pelikanëve të këtij lloji jetojnë aty. Karavastaja bën pjesë në parkun kombëtar të Divjakës.
Ndahet nga deti nëpërmjet një brezi të gjerë rëre, të mbuluar nga pylli i dendur, buzë te cilit ndodhet një plazh mjaft i madh. Lidhet me detin me tri kanale, njëri prej të cilëve artificial, i hapur për nevojat e peshkimit.
Në brendësi të saj ka dhe ishuj të vegjël, në të cilin folenizojnë shpendët. Karakteristike në këtë zonë është kolonia e Pelikanit Kaçurrel me rreth 85 çifte pelikanësh kaçurrelë e regjistruar këtë vit, që është shifra më e lartë e 40-viteve të fundit në vendin tonë. Karavastaja për këtë specie përfaqëson kufirin më perëndimor të saj. E veçantë është dhe prania e disa qindra çifteve të dallëndysheve të detit.
Sipërfaqja e parkut është rreth 22,230.00 hektarë dhe ndodhet 5 kilometra larg Divjakës dhe 40 kilometra larg qytetit të Lushnjës. Në këtë park, takohen një sërë habitatesh si: delta lumenjesh, laguna, duna ranore, bimësi psamofite, halofite, dhe hygrofite, pylli me pishë të butë dhe të egër dhe me prani të dëllënjës kokërrmadhe (Juniperus monocarpa). Parku dhe zona rreth tij ka vlera historike, kulturore, arkeologjike me potenciale të mëdha për zhvillimin e turizmit./Motilokal.com