FSK shpëton dhe evakuon katër qytetarë që kishin mbetur në bjeshkët e Rugovës

FSK shpëton dhe evakuon katër qytetarë që kishin mbetur në bjeshkët e Rugovës

Gardës Kombëtare të Forcave të Armatosura të Kosovës (FSK) ka bërë të ditur se ka realizuar me sukses një operacion kërkim-shpëtimi malor në fshatin Drelaj të Rugovës së Pejës.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes operacioni për kërkim-shpëtim, në kushte nate dhe terren të vështirë, u zhvillua, duke filluar mbrëmë prej orës 23:00 e duke përfunduar suksesshëm sot në orët e hershme të mëngjesit me kërkimin, shpëtimin dhe evakuimin e katër personave.

Personat e shpëtuar ishin pjesëtarë të Shoqatës Alpiniste “Gjeravica”, njëri prej të cilëve ishte i lënduar e të cilit iu ofrua trajtimi fushor mjekësor dhe evakuimin profesional.

Njësia e FSK-së, operacionin e realizoi në koordinim me njësitë e Policisë së Kosovës, Zjarrfikësit Lokal, ndërsa evakuimin e personave e ka bërë në bashkëpunim me Shoqatën e Kërkim-Shpëtimit Malor “Peja”.

“Angazhimi vetmohues dhe profesionalizimi i lartë i pjesëtarëve të njësive të Kërkim- Shpëtimit të FSK-së, si edhe njësive tjera, dëshmohen në çdo kohë, në çdo vend dhe në çdo situatë në shërbim të qytetarëve tanë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes./Motilokal.com