Makina e parë fluturuese indigjene e Turqisë, e quajtur “Cezeri”, është testuar me sukses në Stamboll.
Kompania Baykar, prodhues i makinës fluturuese, njoftoi se “Cezeri” i projektuar dhe i prodhuar nga inxhinierë turq u ngrit në 10 metra në testet prototip të fluturimit.
"Ne do të prodhojmë prototipa më të përparuar në procesin e ardhshëm dhe do të kryejmë fluturime me njeri (në bord)", tha Selçuk Bayraktar, shef i teknologjisë në kompani.
Bayraktar shtoi se do të nevojiten rreth 10-15 vite që “Cezeri” të dalë në rrugë dhe rreth 3-4 vite për t'u përdorur për qëllime rekreative, si motoçikletat me katër rrota në zonat rurale.
"Pas makinave të mençura, revolucioni në teknologjinë e automobilave do të jetë në makinat fluturuese. Pra, nga ky këndvështrim ne jemi duke u përgatitur për garat e nesërme, në vend të atyre të sotme", theksoi Bayraktar.
Makina fluturuese “Cezeri”, e cila pritet të bëjë ndryshime rrënjësore në transportin urban, u dizajnua për të marrë pjesë në mënyrë aktive në transportin e udhëtarëve dhe mallrave.
“Cezeri”, i cili fluturimin e realizon me energji elektrike, ka tre sisteme inteligjente rezervë të fluturimit, ndërsa do të pajiset edhe me sisteme të inteligjencës artificiale. Synohet që makina të arrijë shpejtësinë prej 100 km/h, lartësi 2.000 metra, të qëndrojë në ajër për 1 orë dhe të ketë rreze të veprimi 70 deri në 80 kilometra në orë./Motilokal.com
