Një copë e madhe akulli është shkëputur nga 79N, e njohur si akullnaja më e madhe e mbetur në Arktik në Grenlandën verilindore. Akullnaja është afërsisht 80 kilometra e gjatë dhe rreth 20 kilometra gjerësi.
Imazhet satelitore tregojnë se pjesa e shkëputur e akullit është rreth 110 km katrorë dhe duket të jetë copëtuar në pjesë të vogla.
Humbja është provë e ndryshimeve të shpejta klimatike që ndodhin në Groenlandë, thonë shkencëtarët.
"Atmosfera në këtë rajon është ngrohur me rreth 3 °C që nga viti 1980", tha Dr Jenny Turton.
"Dhe në vitet 2019-2020, ajo pa temperatura rekord të verës", tha studiuesia e Universitetit Friedrich-Alexander në Gjermani për BBC News.
Në skajin kryesor, akullnaja 79N ndahet në dysh, me një degëzim të vogël që kthehet drejt veriut. Ky degëzim ishte thyer rëndë në 2019-ën kurse ngrohtësia e kësaj vere ka bërë që të shpërbëhet përfundimisht.
Oqeanografët gjithashtu kanë dokumentuar temperatura më të ngrohta të detit që do të thotë se akullnajat po shkrihen nga poshtë.
“Pas akullnajës Petermann që ndodhej në veriperëndim të vendit e cila në vitet 2010 dhe 2012 humbi një sipërfaqe shumë të madhe akulli, 79N u bë pjesa më e madhe dhe më e rëndësishme e akullit në Arktik”, shpjegoi Prof. Jason Box nga Shërbimi Gjeologjik i Danimarkës dhe Grenlandës (GEUS).
"Ajo që e bën 79N kaq të rëndësishme është mënyra se si është bashkangjitur në shtresën e akullit të brendshëm dhe kjo do të thotë që një ditë - nëse klima ngroh siç e presim - ky rajon ndoshta do të bëhet një nga qendrat kryesore që do të ndikojë në shkrirjen e Grenlandës", tha Box./Motilokal.com
