Amazon siguron leje për shpërndarjen e dërgesave përmes dronëve në SHBA

Amazon siguron leje për shpërndarjen e dërgesave përmes dronëve në SHBA

Gjiganti amerikan i shitjeve online, Amazon, ka siguruar miratimin nga rregullatori kombëtar i aviacionit për nisjen e dërgesave përmes dronëve në Shtetet e Bashkuara. Kjo kompani me bazë në Sietëll ka thënë se miratimin e ka pranuar përgjatë fundjavës nga Administrata Federale e Aviacionit.

Por kompania njoftoi se ende duhet kohë derisa të fillojë të shpërndajë me dron mallrat e shitura.

Amazon prezantoi për herë të parë një fluturake shpërndarëse në vitin 2013.

Dronët elektrik duhet të fluturojnë në një rreze deri në 12 kilometra nga depoja dhe të mbajnë deri në 2.3 kilogramë. Falë sensorëve, ai mund të njohë pengesat dhe t’i shmangë ato.

Amazon tha se miratimi shënon një moment historik për “Prime Air” dhe shpejtësinë e dorëzimit. Koncepti është ende në fazën e testimit, sipas David Carbon, nënkryetar i “Prime Air”.

"Ky certifikim është një hap i rëndësishëm për “Prime Air” dhe tregon besimin e Administratës Federale të Aviacionit në procedurat e funksionimit dhe sigurisë së Amazon për shërbim autonome të shpërndarjes së dronëve që një ditë do të dorëzojë pako tek klientët tanë në të gjithë botën", tha Carbon në një deklaratë.

Një numër kompanish, sikurse kompania simotër e gjigantit Google, Alpabet, janë duke punuar në shërbimin e dërgesave përmes dronëve.

Amazon nuk ka thënë ende se kur pret të përdorë dronët për dërgesa te konsumatorët.

Përveç kësaj, ende nuk ka një sistem për të monitoruar hapësirën ajrore në të cilën fluturojnë dronët./Motilokal.com