Uragani Laura mbërriti të enjten në mëngjes në jug-perëndim të Luizianës në kategorinë katër, duke sjellë erëra deri në 240 kilometra në orë. Kjo e barazon atë vetëm me një uragan të 160 viteve më parë, më i fuqishmi që ka goditur këtë shtet.
Nëse këto parametra ruhen, atëherë ai do të jetë një nga stuhitë më të fuqishme që ka goditur ndonjëherë brigjet jugore të Shteteve të Bashkuara.
Gjysmë milioni banorë janë evakuuar nga pjesë të Teksasit dhe Luizianës. Uragani Laura preku tokën pak pas mesnate sipas orës lokale, afër distriktit Cameron, në Luiziana.
Shërbimi Kombëtar i Motit paralajmëroi se nëse ndonjë banor do të mbetej në ose pranë trajektores së stuhisë katastrofike do të duhej të merrte masa emergjente për të mbrojtur jetën, në një dhomë të fortë të brendshme dhe larg dritareve.
“Jam shumë i shqetësuar, jo vetëm në aspektin e mbijetesës ndaj stuhisë, por edhe për atë që do të lejë pas”, thotë Nick Hunter, kryebashkiak i Lake Charles.
Meteorologët vijuan të paralajmërojnë përkeqësimin e stuhisë dhe erërat e forta si dhe rrugën e uraganit Laura.
“Do të dëgjoni fjalën ‘e pa-mbijetueshme’ për të përshkruar stuhinë që po presim”, ishin fjalët alarmuese të guvernatorit të Luizianës, John Bel Edwards.
Guvernatori parashikon shkatërrimin e plotë të disa pjesëve të shtetit. Më shumë se 190 mijë shtëpi në Luiziana mbetën pa energji elektrike orët e para të së enjtes. Në Teksas më shumë se 45 mijë shtëpi patën të njëjtin fat.
Laura dhe Marco, përshkuan më herët Karaibet duke i marrë jetën 24 personave. Marko goditi Luizianën të hënën, me erëra të forta dhe shira të rrëmbyeshëm.
Fillimisht ekzistonte frika se të dyja stuhitë mund ta godisnin Luizianën si Uraganë brenda një harku kohor prej 48 orësh, një event ky i paprecedentë, por Marko u dobësua duke u kthyer në stuhi tropikale. Laura në anën tjetër është forcuar dukshëm nga një uragan i kategorisë tre në uragan të kategorisë katër duke marrë 70 për qind më shumë forcë në vetëm 24 orë./Motilokal.com


