Ka vite që Shëngjini është në krye të preferencave për pushuesit vendas dhe të huaj. E gjithë kjo nga puna e mirë që është bërë në zhvillimin dhe sistemimin urban, pastrimin e plazheve, përmirësimin e infrastrukturës, të shërbimeve për turistët, etj.
Qyteti i Shëngjinit, me plazhet dhe lagunat që e qarkojnë, me hotelet e restorantet cilësore dhe mjediset për argëtim janë destinacioni kryesor për pushuesit.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi ka publikuar disa pamje nga plazhet e Shëngjinit.
“Shëngjini, destinacioni që qartazi është diferencuar këtë sezon turistik për organizimin, pastërtinë, rregullin, nën përkushtimin e përditshëm të bashkisë Lezhë. Me një menaxhim të ri të mbetjeve, ndriçim led, shëtitore e re në Kune, rikualifikimin e hyrjes e shëtitores qendrore, Shëngjini është tashmë ndër pikat turistike më të preferuara të bregdetit shqiptar”, ka shkruar ministri Klosi.
Shëngjini ndodhet në skajin verior të një gjiri të madh prej 7 kilometrave larg nga qyteti i Lezhës. Në jug të qytetit është zona e lagunës së Deltës së Drinit, e cila formon oazën natyraliste të mbrojtur Kuna-Vaini. Këtu ka një port, i hapur në vitin 2009, që e lidh qytetin me Barin.
Është një vend me një panoramë të këndshme dhe një det të pastër, i rrethuar nga male jo shumë të larta por me një shkëmb të veçantë. Viteve të fundit qyteti ka pësuar një evolucion të thellë, veçanërisht përmes zhvillimit të industrisë së ndërtimeve.
Një nga plazhet që tërheq vëmendjen e pushuesve është ai i “Ranës së hedhun”, ndërsa po ashtu janë plazhet e Kunës dhe Tales./Motilokal.com


