
Autoritetet italiane kanë mbyllur rrugët dhe kanë urdhëruar evakuimin e shtëpizave në anën italiane të Mont Blanc, pas paralajmërimeve se një pjesë e akullnajës mund të shembet në çdo moment, transmeton CNN.
Sipas zyrtarëve italianë rreth 250 mijë metra kub akull mund të shkëputet nga akullnaja Planpincieux në malin e Grandes Jorasses në masivin e Mont Blanc.
“Është e pamundur të parashikosh kohën e saktë të rrëzimit, gjatë vëzhgimeve në muajin gusht dhe shtator treguan se akullnaja po zhvendosej me një shpejtësi prej 50 deri në 60 centimetra në ditë”, thanë ekspertët.
"Këto fenomene edhe njëherë tregojnë se mali po kalon nëpër një fazë të ndryshimit të fortë për shkak të faktorëve klimatike", tha Stefano Miserocchi, kryebashkiaku i Courmayeur.
Ai shtoi se një kolaps i akullnajave nuk do të kërcënonte zonat e banuara ose objektet turistike.
Vargmali ka 11 maja me mbi 4 mijë metra midis Italisë dhe Francës, Mont Blanc është vargu më i lartë malor i Evropës Perëndimore dhe është i njohur për alpinizëm dhe për skiatorët.
Akullnajat alpine po shkrihen si rezultat i rritjes së temperaturave globale.
Sipas regjistrit të fundit të akullnajave, sipërfaqja e tyre u ul nga 609 kilometra katror (235 milje katror) në vitin 1989 dhe në 368 kilometra katror (142 milje katror) tani - një rënie prej 40 për qind, njoftoi La Repubblica.
Gjatë së njëjtës periudhë, numri i akullnajave u ul nga 1.381 në 903.
Në një fjalim për ndryshimet klimatike në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të martën në New York, Kryeministri italian Giuseppe Conte iu referua paralajmërimit të Mont Blanc. "Tani është lajm se një akullnajë në Mont Blanc rrezikon të shembet," tha ai.
"Është një alarm që nuk mund të na lërë indiferentë. Duhet të na trondisë të gjithëve dhe të na mobilizojë", deklaroi kryeministri italian./Motilokal.com