Komisioni Evropian miraton përdorimin e ilaçit Remdesivir në BE

Komisioni Evropian miraton përdorimin e ilaçit Remdesivir në BE

Komisioni Evropian kumtoi sot se e ka miratuar përdorimin e ilaçit remdesivir, në trajtimin e rasteve të rënda me COVID-19 në BE.

Ky është ilaçi i parë i miratuar në nivel të Bashkimit Evropian (BE) për trajtimin e koronavirusit.

Në njoftimin e Komisionit Evropian thuhet se ky miratim, që u vendos me procedurë të përshpejtuar, vjen pas rekomandimit të Agjencisë Evropiane të Barnave (EMA), dhe pas miratimin nga vendet anëtare të BE-së.

“Mbrojtja e shëndetit publik është një përparësi kryesore e KE-së, prandaj të dhënat për Remdesivirin janë vlerësuar në një kohë jashtëzakonisht të shkurtër”, thuhet në njoftim.

Komisionarja Evropiane për Shëndetin dhe Sigurinë e Ushqimit, Stella Kyriakides, vlerësoi se miratimi është një hap i rëndësishëm në luftën kundër këtij virusi.

Ajo shtoi se kjo tregon qartë vendosmërinë e BE-së për të reaguar shpejt.

Remdesivir i përket një klase të ilaçeve të njohura si “zëvendësim i nukleozidit” të cilat përdoren gjerësisht në trajtimin e kancereve, viruseve dhe infeksioneve të ndryshme.

Ende është duke u testuar për efektivitetin e Remdesivirit në trajtimin e pacientëve me COVID-19, por ka shenja shpresëdhënëse se ilaçi është i dobishëm në trajtimin e sëmundjes, veçanërisht te pacientët në gjendje kritike./Motilokal.com