Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se në ditët e fundit kanë filluar të rriten shumë kërkesat për ujë të pijshëm.
Sipas KRU “Prishtina”, niveli i ujit në liqenin e Batllavës është 8.15 metra nën kuotën maksimale, ndërsa niveli i ujit në liqenin e Badovcit është 10.55 metra nën kuotën maksimale.
Ujësjellësi ka bërë thirrje për kursim të ujit, ndërsa ka dhënë disa këshilla rreth përdorimit të tij.
Njoftimi i plotë i Ujësjellësit “Prishtina”:
Të dashur qytetarë / konsumatorë të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit,,Prishtina,, sh.a., ju njoftojmë se kanë filluar të rriten dukshëm kërkesat për ujë të pijshëm.
Niveli i ujit në liqenin e Batllavës është 8.15 metra nën kuotën maksimale, ndërsa niveli i ujit në liqenin e Badovcit 10.55 metra nën kuotën maksimale.
Përsërisim sërish disa këshilla rreth përdorimit të ujit:
Çfarë mund të bëjë secili prej nesh, për të ndaluar keqpërdorimin e ujit, për të ruajtur burimet e ujit, më poshtë gjeni bashkëngjitur disa këshilla që duhet përmbajtur secili konsumatorë:
- Mos lejoni të rrjedhë ujë kot nga rubineti juaj,
- Mos përdorni ujin e pijshëm për të larë veturat,
- Mos përdorni ujin e pijshëm për ndërtime në qytet,
- Mos pastroni trotuaret me ujin e pijshëm,
- Mos harroni të mbyllni rubinetin, pasi të lani dhëmbët,
- Mos ujitni lulet, kopshtet dhe arat,
- Paguani rregullisht ujin që konsumoni,
- Mos lejoni ndërhyrjet pa leje në rrjetin e ujësjellësit,
- Të gjithë jemi përdorues të ujit, prandaj ne jemi edhe përgjegjës për të shfrytëzuar atë, në mënyrë të drejtë.
- Ujin mund ta zëvendësojë vetëm uji, andaj kurseje atë.
Bashkërisht për një furnizim stabil me ujë të pijshëm!/Motilokal.com
