Nga dorezat e dyerve, gotat prej xhami, ekranet e telefonave mobil dhe deri tek enët prej çeliku, koronavirusi i ri që udhëton në pikat e pështymës qëndron në ajër nga 3 sekonda në një maksimum prej dy minutash në varësi të materialeve dhe kushteve të temperaturës dhe lagështisë.
Kjo tregohet nga hulumtimi i botuar në revistën Physics of Fluids dhe i kryer në gjashtë qytete në Amerikë, Azi dhe Australi, i koordinuar nga Rajneesh Bhardwaj dhe Amit Agrawal, nga Instituti Indian i Teknologjisë në Bombei.
Gjetjet mund të "shpjegojnë përhapjen e ngadaltë ose të shpejtë të infeksionit në një qytet të caktuar. Ky mund të mos jetë faktori i vetëm, por sigurisht që llogarit edhe në shkallën e rritjes së infeksionit", tha Bhardwaj.
Sapo pikat që mbartin virusin të jenë avulluar, studiuesit shkruajnë se virusi i mbetur vdes shpejt, kështu që mbijetesa dhe transmetimi i virusit ndikohet drejtpërdrejt nga koha kur pikat mbeten të paprekura. Për këtë studiuesit shikuan kohën e avullimit të pikave të pështymës të llojeve të shumta të sipërfaqeve në New York, Chicago, Los Angeles, Miami, Sidnei dhe Singapor, të cilat kanë temperatura dhe nivele të ndryshme lagështie.
Hulumtimet kanë treguar që temperaturat më të larta të ambientit bëjnë që pikat të thahen më shpejt, duke zvogëluar në mënyrë dramatike shanset e mbijetesës së virusit. Në vendet me lagështi më të lartë, megjithatë pikat mbeten më gjatë në sipërfaqe dhe, sipas autorëve, shanset për mbijetesë të virusit rriten.
Hulumtimi shqyrton kohën e tharjes së një pikeje në një ambient të mbyllur me ajër të kondicionuar, në 25 gradë, dhe në një mjedis të jashtëm në 40 gradë. Në 25 gradë koha e avullimit për pikat e vogla është 6 sekonda, e cila rritet në 27 sekonda për pikat e mëdha. Në 40 gradë koha e avullimit zvogëlohet në 50%./Motilokal.com
