Agjencia Evropiane e Mjedisit: Shqipëria përmirëson cilësinë e ujërave të plazheve

Agjencia Evropiane e Mjedisit: Shqipëria përmirëson cilësinë e ujërave të plazheve

Agjencia evropiane e mjedisit publikoi raportin e vitit 2019 mbi cilësinë e ujërave të plazheve në të gjithë vendet e Bashkimit Evropian, përfshirë Shqipërinë dhe Zvicrën, dy vende që marrin pjesë prej vitesh në vlerësimin vjetor që mundëson informimin e qytetarëve me cilësinë e ujërave të plazheve të vendeve ku zgjedhin të kalojnë pushimet.

Numri i plazheve ku bëhen matje të rregullta për ndotje bakteriologjike të ujërave, që dëmtojnë shëndetin, sipas kritereve të Agjencisë Evropiane të Mjedisit, rritet çdo vit në Evropë, ku tashmë numërohen rreth 22 300 të tilla, prej të cilave 119 në Shqipëri.

Vlerësimi ndahet në ujëra me cilësi të shkëlqyer, të mirë, të mjaftueshme dhe të varfër, apo të dëmshme për shëndetin në lidhje me këtë të fundit. Matjet bëhen çdo vit nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, gjatë sezonit të pushimeve, sipas të njëjtave kritere të caktuara në nivel evropian.

Agjencia Evropiane e Mjedisit në klasifikimin e vlerësimit të cilësisë së ujërave të larjes që prej vitit 2015 i referohet Direktivës se Rishikuar duke marrë në konsiderate të dhënat e cilësisë së plazheve për 4 vjet rresht dhe në raportin e vitit 2019 janë vlerësuar të dhënat 2016 – 2019, ku 84.9 % (101 stacione) plotësojnë kërkesat në përputhje me standardet e cilësisë dhe 5.9% (7 stacione) janë të një cilësie jo të mire ku krahasuar kjo me raportin e vitit 2018 numri i stacioneve të monitoruar ka qenë 108 stacione dhe klasifikimi i stacioneve me cilësi jo të mirë ka qenë 10 stacione (9.3%) .

“Duke vlerësuar grafikun i cili paraqet një panoramë ndër vite të cilësisë së ujërave të larjes vëmë re se në 2015 kemi 39.1% të cilësisë jo të mirë dhe në 2019 kemi vetëm 5.9%, përmirësim i cili është i lidhur ngushtë me masat e marra nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit kundrejt subjekteve të cilat operojnë me leje mjedisore duke respektuar kushtet dhe limitet e lejuara te shkarkimeve në mjedis”, thuhet në njoftim.

Në njoftimin e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit thuhet se rol të rëndësishëm ka edhe ndërtimi i Impianteve të Trajtimit të Ujërave Urbane dhe shtimi i masave nga Pushteti Lokal për pastrimin dhe menaxhimin e plazheve, sidomos gjatë sezoneve turistike./Motilokal.com

No photo description available.