Ministrja Manastirliu jep lajmin e mirë: Nga e hëna hapen plazhet, çerdhet dhe kopshtet në Shqipëri

Ministrja Manastirliu jep lajmin e mirë: Nga e hëna hapen plazhet, çerdhet dhe kopshtet në Shqipëri

Nga data 1 qershor do të lejohet lëvizja e lirë e qytetarëve në të gjithë vendin, do të hapen kufijtë tokësorë dhe do të lejohen edhe plazhet.

Ministrja e Shëndetësisë njoftoi se heqja e kufizimeve të lëvizjeve vjen si pasojë e qëndrueshmërisë së përhapjes së infeksionit.

“Po përmbyllim javën e 12 nga fillimi i epidemisë së Covid19 në vendin tonë. Pas disa javësh masash kufizuese të marra në kohën e duhur dhe rezistencës së secilit prej jush, ja dolëm që të kemi kufizim të përhapjes së Covid19 në Shqipëri. Edhe pse deri më sot kemi një ecuri të qëndrueshme të epidemisë, nuk duhet harruar se rihapja kërkon gjithashtu një vigjilencë maksimale, sjellje individuale korrekte që i përshtatet këtij normaliteti të ri”, tha ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, duke shtuar se pavarësisht luhatjeve ditore situata e qëndrueshme ne na lejon të vijojmë më planin donë të rihapjes.

Ministrja theksoi se faza e dytë e rihapjes rikthen lirinë e lëvizjes, vendos rregulla strikte dhe gjithashtu vendos dhe protokolle strikte në të gjitha aktivitetet. Në çdo rast kërkohet sakrifica vetëmohuese individuale për të qenë të kujdesshëm për të mbrojtur veten dhe njerëzit e dashur.

Ajo kërkoi që në asnjë moment nuk duhet ulur vigjilenca, të ruhet distancimi fizik dhe gjithashtu higjiena personale.

Manastirliu deklaroi se nisur nga vlerësimi epidemiologjik deri tani, sipas vendimit të Komitetit Teknik është vendosur që ne të ndjekim planin e miratuar në strategjinë e rihapjes, dhe nga data 1 qershor:

Të lejohet lëvizja e qytetarëve dhe automjeteve në të gjithë territorin e vendit pa asnjë kufizim.

Do të hapen gjithashtu çerdhet dhe kopshtet publike dhe jopublike sipas protokolleve strikte të miratuara.

Do të hapen kufijtë tokësorë, duke hequr karantinimin dy javor si një masë që po ndiqet edhe në vendet europiane dhe vendet e rajonit. Masa e vendosjes së karantinës dy/javore do të mbetet në fuqi në raste të veçanta me urdhër të autoriteteve shëndetësore sipas protokolleve dhe kritereve të përcakuara nga ECDC – Qendra Europiane e Kontrollit të Sëmundjeve.

Nga data 1 Qershor plazhet do të jenë të hapura, nën masa të sigurisë, sipas një plani i cili përfshin gjithë vijën bregdetare, si një zonë e sigurt. Plazhet sipas zonave të miratuara do jenë të përcaktuara me autorizime të posaçme nga një Autoritet i Përkohshëm që është ngritur për këtë periudhë dhe që do të administrojë gjithashtu edhe lejet për çdo stacion plazhi nëpërmjet një aplikimi online dhe një protokolli të miratuar që do të jetë i veçantë për ruajtjen e distancave dhe kushteve higjieno-sanitare në plazhe.

Ndaj ftojmë të interesuarit të zbatojnë protokollet që do të bëhen publike nga Ministria e Mjedisit dhe Turizmit duke informuar se gjithkush që shkel rregullat për arsye përfitimi në plazh do të penalizohet sipas legjislacionit në fuqi.

Do të lejohen nga data 1 Qershor kampionatet sportive, pa praninë e publikut. Do të hapen parqet, qendrat e formimit arsimor, kulturor, qendrat e internetit si dhe palestrat nën rregulla strikte të sigurisë.

Po punohet me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transporteve për një plan të transportit publik të sigurt, i cili do të jetë gati në një kohë sa më të shpejtë. Deri atëherë transporti publik do të jetë i mbyllur.

Ministrja nënvizoi se do të vijojnë të jenë të ndaluara deri në një urdhër të dytë që do të vlerësohen në datë 23 qershor si dita e fundit e përcaktuar e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, aktivitetet kulturore, kinema, teatër, klubet e natës, pishinat, grumbullimet masive, dasmat, konferenca, dëgjesa publike, tubimet e çdo lloji, duke bërë thirrje edhe njëherë për të mos patur përsëritje të grumbullimeve masive, efektet e të cilave do të ishin shumë të dëmshme në shëndetin publik

Më tej ajo theksoi se gjatë fundjavës hiqen kufizimet e orareve për qytetaret dhe bizneset në të gjitha zonat. Pra në të gjithë territorin e vendit, pavarësisht zonës së kuqe apo të gjelbër do të hiqen kufizimet e orareve për biznesin dhe qytetarët.

“Mos e ulni vigjilencën, vendosni shëndetin të parin për të mbrojtur veten, familjen dhe të gjithë të dashurit tuaj.”/Motilokal.com