Inspektorati i Mjedisit ka shqiptuar një gjobë prej pesë mijë eurosh ndaj Drejtorisë së Inspekcionit të Komunës së Prishtinës, për moskryerjen e detyrave ligjore lidhur me menaxhimin e mbeturinave vëllimore dhe deponive të dheut.
Sipas njoftimit të minitrës së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Fitore Pacolli, në deponinë e dheut të N.P.L. “Gjelbër” dhe në hapësirat përreth saj janë evidentuar mbeturina vëllimore të vendosura jashtë zonës së përcaktuar për deponim.
Pavarësisht njoftimeve të përsëritura për këtë problem, Drejtoria e Inspekcionit nuk ka ndërmarrë masat e nevojshme, çka ka çuar në shqiptimin e gjobës.
Pacolli ka theksuar se institucionet publike duhet të japin shembull në mbrojtjen e mjedisit dhe të përmbushin përgjegjësitë e tyre ligjore për parandalimin e ndotjes dhe menaxhimin e duhur të mbeturinave.
Ajo ka rikujtuar se ligji duhet të zbatohet njësoj për të gjithë.
/Motilokal.com
