Drejtoria për Administrimin e Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” ka rikujtuar se gjuetia është rreptësisht e ndaluar në të gjithë territorin e parkut, pavarësisht hapjes së sezonit të gjuetisë më 25 tetor 2026.
Për të parandaluar gjuetinë e paligjshme dhe për të mbrojtur faunën e egër, drejtoria, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë, do të shtojë kontrollet në të gjithë territorin e parkut.
Masat e parapara përfshijnë mbikëqyrjen me dronë, përdorimin e kamerave kurth, si dhe patrullimet me automjete dhe në këmbë.
Nga drejtoria kanë theksuar se gjuetia e kundërligjshme në parkun kombëtar përbën vepër penale dhe do të trajtohet në bashkëpunim me organet kompetente.
Institucioni u ka bërë thirrje qytetarëve dhe gjuetarëve që të respektojnë ligjin dhe të kontribuojnë në ruajtjen e pasurisë natyrore, duke theksuar se mbrojtja e Bjeshkëve të Nemuna është përgjegjësi e përbashkët.
/Motilokal.com
