Banka Botërore: Turizmi pritet të gjenerojë më shumë vende të reja pune në Shqipëri

Banka Botërore: Turizmi pritet të gjenerojë më shumë vende të reja pune në Shqipëri

Turizmi mbetet një nga sektorët me perspektivën më të madhe për rritjen e punësimit në Shqipëri, ndërsa zgjerimi i ofertës përtej sezonit veror mund të krijojë mundësi të reja pune në zona të ndryshme të vendit.

Këto janë disa nga përfundimet e Anketës së Opinionit të Vendit për Shqipërinë për vitin fiskal 2026, të publikuar nga Banka Botërore. Në anketë morën pjesë 219 përfaqësues nga institucionet publike, sektori privat dhe shoqëria civile.

Përveç turizmit, sektorë të tjerë që vlerësohen me potencial për zhvillim ekonomik dhe punësim janë bujqësia dhe agro-përpunimi, teknologjia e informacionit dhe shërbimet digjitale, energjia e rinovueshme, infrastruktura e gjelbër, ndërtimi dhe industria e lehtë.

Një rol të rëndësishëm në turizëm mund të luajë zgjerimi i aktiviteteve si agroturizmi, turizmi kulturor, historik dhe ai i aventurës. Sipas vlerësimit, zhvillimi i këtyre fushave do të ndihmonte në zgjatjen e sezonit turistik dhe në shpërndarjen e përfitimeve ekonomike në më shumë pjesë të vendit.

Edhe bujqësia shihet si një sektor ku mund të krijohet më shumë vlerë përmes përpunimit të produkteve, magazinimit, paketimit dhe rritjes së eksporteve. Kjo do të mund të gjeneronte vende të reja pune, veçanërisht në zonat rurale dhe jashtë qendrave të mëdha urbane.

Në të njëjtën kohë, teknologjia e informacionit dhe shërbimet digjitale konsiderohen një tjetër mundësi për krijimin e vendeve të punës me kualifikim më të lartë, si dhe për zgjerimin e aktiviteteve të orientuara drejt tregjeve të huaja.

Sa i përket prioriteteve të zhvillimit, bujqësia dhe siguria ushqimore kryesojnë listën me 49% të të anketuarve. Pas tyre renditet arsimi me 47%, shëndetësia me 36%, krijimi i vendeve të punës me 34% dhe infrastruktura digjitale me 32%.

Të dhënat e anketës tregojnë se rritja e punësimit në Shqipëri lidhet jo vetëm me zgjerimin e sektorëve tradicionalë, por edhe me investimet në fusha me vlerë më të lartë të shtuar, transformimin digjital dhe diversifikimin e ekonomisë.

Banka Botërore – Albania Country Opinion Survey Report e ka përfshirë krijimin e vendeve të reja të punës, forcimin e kapitalit njerëzor dhe rritjen e qëndrueshme ndër objektivat kryesore të mbështetjes për Shqipërinë.

/Motilokal.com