IKSHPK: 21 raste të reja me COVID-19 dhe 10 të shëruar në Kosovë

IKSHPK: 21 raste të reja me COVID-19 dhe 10 të shëruar në Kosovë

Institutit Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK), në një komunikatë për media ka njoftuar se janë regjistruar 21 raste me koronavirus, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 1.025 dhe janë shëruar 10 pacientë.

“Sot më 22 maj 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 267 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren”, thuhet në njoftim.

Sipas IKSHPK-së me SARS-CoV-2, janë konfirmuar 21 raste. Rastet pozitive janë raste kontakti nga: komuna e Prizrenit 19 raste (sipas vendbanimit:16 raste Prizren, 1 rast Romajë, 1 rast Lubiçevë dhe 1 rast Nashec) dhe nga komuna e Suharekës 2 raste (sipas vendbanimit:1 rast Bllacë dhe 1 rast Suharekë).

Lajmi i mirë është se janë shëruar 10 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 782 raste.

Nga data 08 shkurt deri më 22 maj 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 12.818 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 1.025 raste, me gjithsej 29 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke i obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome.

Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 22 maj 2020 sipas Worldometers, janë raportuar gjithsej 5.263.085 raste të COVID-19 dhe 337.813 raste të vdekjes./Motilokal.com